Last Updated on 27/04/2026 by Anisa
Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, ka kërkuar rishikimin e fashës financiare për veprat e korrupsionit që hetohen nga ky institucion, duke sugjeruar rritjen e pragut aktual prej 50 mijë lekësh të reja.
Gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Braho u shpreh: “Ngarkesa është e lartë, do rritet dhe më tej, por mendoj se numri 20 i prokurorëve është i mjaftueshëm.”
Ai theksoi se aktualisht SPAK nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha ligjore, por kërkoi ndërhyrje të kufizuara, sidomos në lidhje me pragun financiar të korrupsionit: “Fasha prej 50 mijë lekësh mendoj që duhet parë, duhet të jetë diçka më e lartë. Është një shumë e vogël dhe rrit ngarkesën.”
Sipas tij, i njëjti problem haset edhe në fushën e prokurimeve publike: “Edhe te prokurimet publike, duhet rritur fasha pasi është e vogël.”
Në lidhje me kapacitetet hetimore, Braho njoftoi forcimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH): “Lajmi i mirë është që do fillojmë rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH. Është një numër i lartë që do ndikojë në uljen e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë.”
Ai shtoi se është përfunduar edhe procesi për 10 oficerë të policisë gjyqësore dhe pritet hapja e një procedure tjetër për rekrutime të reja. Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2025, Braho vlerësoi punën e institucionit dhe falënderoi paraardhësin e tij, Altin Dumani: “Po ju paraqes një përmbledhje të raportit vjetor. Ky raportim është për 2025-ën, kur është drejtuar nga z. Dumani, të cilin e falënderoj.”
Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë vitit 2025 janë hetuar 871 procedime penale: “Kemi hetuar 871 procedime penale, me një rritje prej 4.9 përqind nga viti i shkuar.”
Ndërsa për efektivitetin e hetimeve, ai deklaroi: “Numërohen 294 procedime penale të reja dhe 216 hetime të përfunduara.”
Në fazën e gjykimit, rezultatet konsiderohen të larta: “Vendimet e fajësisë janë 87% e totalit, duke treguar nivelin e lartë të efektivitetit të prokurorisë.”
Braho foli edhe për masat e sigurisë, duke theksuar një ulje të ndjeshme të arrestit me burg: “Arresti me burg ka rënë me mbi 50 përqind si masë.”
Sa i përket korrupsionit, ai e cilësoi situatën shqetësuese: “Korrupsioni mbetet shqetësues dhe përfshin zyrtarë në disa fusha.”
Ai shtoi se numri i çështjeve është rritur: “Janë nga 186 në 220 çështje për korrupsion.”
Për rezultatet konkrete ndaj zyrtarëve: “Ngа 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, gjysma janë dërguar në gjykatë dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.”
Në fund, Braho nënvizoi edhe rritjen e bashkëpunimit institucional: “Rastet e referuara nga Policia janë rritur me 70%, ndërsa çështjet e referuara nga institucionet publike janë rritur me 15%.”
Në përfundim, ai ritheksoi se përmirësimi i performancës së SPAK kërkon më shumë rregullime praktike sesa ndryshime të thella ligjore, duke vendosur theksin te rritja e pragut financiar dhe forcimi i kapaciteteve hetimore.
