Nga Sejdin Cekani
Disa gjëra lindin si rastësi, pastaj kthehen në njëfarë mode dhe përfundojnë si epidemi kulturore. Një e tillë, fatkeqësisht, është bërë prej kohësh pjesë e realitetit shqiptar: lehtësia e frikshme, pothuajse e paturpshme, për t’u vetëshpallur shkrimtar.
Nuk bëhet fjalë për shpërthime të rralla talenti apo për zëra të rinj që kërkojnë hapësirë. Përkundrazi. Bëhet fjalë për një luzmë të tërë grafomanësh, gjysmanalfabetësh dhe mëtuesish, të cilët, me një vetëbesim të palëkundur dhe me një padije po aq të spikatur, i janë vërsulur letërsisë si një territori pa zot.
Këta “krijues” nuk kanë lindur në ndonjë bibliotekë, as në ndonjë përballje të gjatë me librin dhe me mendimin. Ata mbijnë në mënyrë të beftë në dyer redaksish, me dorëshkrime të sapo gatuara, duke qenë njëkohësisht autorë, redaktorë, kritikë dhe, mbi të gjitha, financues të vetvetes. Botimi me shpenzimet vetjake nuk është më një zgjedhje e detyruar, por një strategji për të anashkaluar çdo filtër cilësie.
Por dukuria nuk ndalet këtu. Ajo gjen terrenin më pjellor në rrjetet sociale, ku krijohen grupe të çuditshme, me emra pompozë, ku secili është “poet” dhe askush nuk është lexues. Aty shpallen “shoqata shkrimtarësh”, jepen tituj e dekorata pa peshë, organizohen “promovime” që më shumë i ngjajnë një rituali vetëkënaqësie kolektive sesa një ngjarjeje kulturore.
Në këto rrethana, vlerësimi nuk është më proces kritik, por shkëmbim favoresh: unë të lavdëroj ty, ti më lavdëron mua. Një shfaqje e vërtetë narcizmi, ku çmimet dhe certifikatat prodhohen me shumicë, ndërsa për vlera artistike as që mund të bëhet fjalë.
Në thelb të kësaj marrëzie qëndron një boshllëk i madh: mungesa e leximit. Shumica e këtyre autorëve nuk kanë lexuar asnjëherë seriozisht ndonjë libër të mirë. Fjalori i tyre i kufizuar, që shpesh mbahet vetëm në disa qindra fjalë, nuk njeh as disiplinën e gramatikës, as finesën e stilit, as përgjegjësinë ndaj gjuhës. Letërsia për ta nuk është një mjeshtëri që kërkon kohë, përkushtim dhe vetëdyshim, por një akt i menjëhershëm vetafirmimi.
Kështu ndodh që, kur njëri prej tyre lexon disa faqe nga një “kolegu” i klanit, shpall menjëherë lindjen e një “gjeniu të ri”. Nga ky çast fillon edhe rituali tjetër: anatema ndaj shtëpive botuese që “nuk e kanë zbuluar talentin”, sulmet ndaj shkrimtarëve të afirmuar, madje edhe përpjekjet për të përmbysur çdo hierarki të krijuar me mund ndër vite.
Por realiteti është më kokëfortë se iluzioni. Librat e tyre, të shtypur në tirazhe modeste, shpërndahen falas, refuzohen me mirësjellje ose harrohen në raftet e librarive, ku pluhuri zëvendëson lexuesit. Ndërkaq, në vend të reflektimit, lind një tjetër absurditet: ankesa publike se “talenti i tyre po shfrytëzohet”, se botuesit po pasurohen në kurriz të veprave që askush nuk i lexon.
Më shqetësuese se vetë fenomeni është futja e dhunshme e këtyre librave deri edhe nëpër shkolla. Herë pas here, disa prej këtyre botimeve mediokre arrijnë të imponohen si “libra jashtëshkollorë”, duke ua servirur nxënësve si letërsi. Këtu nuk kemi më vetëm një çështje shijesh apo mediokriteti individual, por një deformim të drejtpërdrejtë të formimit kulturor të brezit të ri.
Në fund, kjo nuk është thjesht një çështje e disa individëve që shkruajnë dobët. Është diçka më shumë se kaq. Ajo ka të bëjë me mungesën e kritereve, zbehjen e autoritetit kulturor, triumfin e dukjes mbi përmbajtjen. Pra, jemi në kohë ku të qenit “autor” vlen më shumë se të qenit lexues.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh: mediokriteti bëhet, si të thuash, i organizuar, ndërsa vetëkënaqësia fillon të zëvendësojë vlerën.
Kur letërsia kthehet në një pasqyrë ku secili sheh dhe duartroket vetëm veten, ajo pushon së qeni letërsi dhe bëhet thjesht një iluzion i përbashkët madhështie.
Zoti na ruajttë nga bjerraditësit, grafomanët, ngrehalucët dhe gjysmë të diturit! Mos qoftë e thënë që koha t’u japë atyre të drejtën për t’u dukur si shumicë!
