Intervista e Princeshës Diana në emisionin Panorama të BBC-së tronditi Pallatin Mbretëror dhe çoi në përfundimin zyrtar të martesës së saj me Princin Charles, me urdhër të Mbretëreshës Elizabeth.
Ishte data 5 nëntor 1995 kur Diana pranoi fshehurazi gazetarin Martin Bashir në apartamentin e saj në Pallatin Kensington dhe dha një intervistë që do të trondiste Familjen Mbretërore – dhe që do ta ndiqte për dekada më vonë.
“Princesha e popullit” foli hapur për marrëdhënien e saj me Charles, vështirësitë e martesës dhe nuk hezitoi të thoshte se “në këtë martesë ishim tre persona”, duke iu referuar Camilla Parker Bowles.
Kur intervista u transmetua më 20 nëntor, reagimi në Pallat ishte i fortë. Për herë të parë, kaq shumë detaje të brendshme të Familjes Mbretërore bëheshin publike nga vetë një anëtare e saj. Situata ishte aq e tensionuar sa Mbretëresha Elizabeth i kërkoi Dianës dhe Charles-it të formalizonin divorcin, edhe pse ata kishin qenë të ndarë prej tre vitesh.
Tre dekada më vonë, intervista e famshme e “Panorama” vazhdon të jetë një çështje e ndjeshme për Familjen Mbretërore, me Princat William dhe Harry që kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si u realizua ajo, duke akuzuar Bashir se e mashtroi nënën e tyre.
Megjithatë, sipas materialeve të reja, Diana kishte motive më “të thjeshta” dhe njerëzore në atë kohë – të pasqyruara në një letër të panjohur deri më tani.
Letra i ishte dërguar një shikuesi si përgjigje për mbështetjen që ai i kishte shprehur pas intervistës në BBC dhe tani po del në ankand nga shtëpia e ankandeve Reeman Dansie, me vlerësime që arrijnë deri në 5,000 dollarë.
Sipas përshkrimit të ankandit, Diana shprehet e prekur nga fjalët e tij dhe shpreson që intervista e saj të ndihmojë edhe gra të tjera që përballen me vështirësi. Ajo gjithashtu beson se kjo mund të ndihmojë Princin William dhe Harry të kuptojnë rëndësinë e komunikimit të thellë në marrëdhënie.
Letra mban datën 27 nëntor 1995 dhe i është dërguar Michael Barratt.
“Letra e tij mbështetëse ka qenë e paçmuar dhe ajo e falënderon shumë thellësisht. ‘Me urimet e mia më të mira, sinqerisht e juaja, Diana’, së bashku me zarf origjinal me emrin dhe adresën e shkruar me dorë nga princesha”, thuhet në përmbledhjen e ankandit për letrën.
Lidhur me reagimin e Barratt-it, përshkrimi shton: “Për habinë e tij të madhe, një javë më vonë ai mori këtë përgjigje të mrekullueshme, të cilën e ka ruajtur me kujdes që prej asaj kohe.”/fjala.al-a.d
