Pas raportimeve të mëparshme, një zyrtar i departamentit të shtetit të SHBA-së ka konfirmuar se bisedimet në nivel ambasadorësh midis Libanit dhe Izraelit do të zhvillohen në Uashington të enjten.
“Ne do të vazhdojmë të lehtësojmë diskutimet e drejtpërdrejta dhe me mirëbesim midis dy qeverive”, tha zyrtari, duke shtuar se SHBA-të mirëpresin “angazhimin produktiv” që filloi më 14 prill.
Izraeli dhe Libani morën pjesë në raundin e parë të bisedimeve diplomatike që nga viti 1993 në Uashington javën e kaluar.
Presidenti i Libanit tha në një deklaratë sot se qëllimi i negociatave me Izraelin është t’i japë fund armiqësive dhe pushtimit të Libanit jugor.
“Libani përballet me dy zgjedhje: ose vazhdimin e luftës me të gjitha pasojat e saj humanitare, sociale, ekonomike dhe sovrane, ose negociatat për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur stabilitet të qëndrueshëm”, tha ai. “Unë kam zgjedhur negociatat dhe jam plot shpresë se do të jemi në gjendje ta shpëtojmë Libanin.”
Synimet e Izraelit përcaktohen nga shqetësimet për sigurinë përgjatë kufirit të përbashkët me Libanin. Benjamin Netanyahu tha se çarmatimi i Hezbollahut është një nga kërkesat themelore të Izraelit nga bisedimet./mxh
