Last Updated on 23/11/2026 by Klara
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka kryer veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i Kodit Penal, në qytetin e Gramshit.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë ushtruar kontrolle në banesat e disa shtetasve, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 150 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, si dhe 0.62 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale:
U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve T.H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç, të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal. Ndaj të dy shtetasve ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, u bë ndalimi i shtetasit E.S., 46 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.J., 31 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së punonjësve të Policisë në këtë veprimtari./k.m
