Nga Luan Rama
Do të kisha dashtë me e mbajt këtë kumtesë të shkrume në trajtën e një eseje, në një prej këtyre ditëve të panairit të organizuar në Shkodër nën moton shumë domethënëse “Libri të ban të lirë”.
Mirëpo, prej se e pata të pamundur të jem në atë ngjarje të bukur e, edhe sepse kam qenë student i filologjisë në universitetin e Shkodrës, po e publikoj esenë time si shenjë respekti për qytetin ndaj të cilit ndjehem gjithmonë i detyruar përulësisht t’i jem mirënjohës dhe nderues për gjithë sa më mësoi e për gjithë sa më dha bujarisht.
Por, edhe për të nderuar mikun tim të çmuar Profesor Matteo Mandalà, kontributet e të cilit janë të një rëndësie të veçantë, sidomos kur është fjala për historinë e letërsisë shqipe.
Panairi i librit “Libri të ban të lirë” në Shkodër përfaqëson më shumë se një aktivitet kulturor; ai është një rikthim simbolik te një prej shtyllave themelore të identitetit qytetar të Shkodrës: libri. Në një qytet ku tradita e dijes, e shkrimit dhe e mendimit kritik ka lënë gjurmë të thella, kjo ngjarje shndërrohet në një hapësirë dialogu mes së kaluarës dhe së ardhmes.
Me një frymë që ndërthur dimensionin akademik me atë njerëzor, panairi dëshmon se libri mbetet mjeti më i fuqishëm për të kultivuar lirinë e mendimit dhe ndërgjegjen qytetare. Në thelb, ai është një festë e kulturës, ku fjala e shkruar nuk ekspozohet thjesht për t’u lexuar, por për t’u jetuar. Shkodra, përmes këtij panairi, riafirmon edhe një herë rolin e saj si një vatër e gjallë e dijes dhe e kulturës shqiptare.
TRIADA E MODERNITETIT DHE RILEXIMI EUROPIAN I LETËRSISË SHQIPE SIPAS PROFESOR MATTEO MANDALÀ
Studimet bashkëkohore mbi letërsinë shqipe kanë kaluar gradualisht nga modelet përshkruese historiko-letrare drejt qasjeve më analitike, krahasuese dhe filologjike.
Në këtë transformim metodologjik, kontributi i Profesor Matteo Mandalà është i rëndësishëm, pasi ai propozon një rilexim të letërsisë shqipe dhe arbëreshe në raport të drejtpërdrejtë me sistemet estetike europiane.
Në optikën e kësaj qasjeje, moderniteti i letërsisë shqipe nuk paraqitet si një zhvillim thjesht linear, por si një konfigurim estetik që mund të lexohet përmes tri figurave referenciale të Profesor Mandalà-s: Jeronim De Radës, Zef Skiroit dhe Ismail Kadaresë.
Këto tri figura mund të kuptohen si përfaqësuese të tri momenteve interpretuese të modernitetit letrar shqiptar: përvetësimi romantik, formalizimi simbolik dhe universalizimi narrativ.
Në analizën e modernitetit letrar shqiptar, Teoria e Polisistemit e Itamar Even-Zoharit ofron një instrument të rëndësishëm interpretimi. Sipas kësaj teorie, letërsitë kombëtare mund të kuptohen si sisteme dinamike ku qendra dhe periferia janë në marrëdhënie të vazhdueshme ndërveprimi.
Në këtë kuadër, letërsia shqipe është lexuar shpesh si një sistem periferik në raport me modernitetin europian, megjithëse kjo periferi mund të kuptohet jo si mungesë zhvillimi, por si hapësirë e produktivitetit estetik dhe të përpunimit të modeleve të huazuara.
Në të njëjtën linjë, Pascale Casanova argumenton se letërsitë periferike fitojnë legjitimitet ndërkombëtar jo thjesht përmes imitimit, por përmes aftësisë së tyre për të riformësuar estetikisht modelet ekzistuese.
Këtu qasja filologjike e Profesor Mandalà-s ka meritën që e rikthen tekstin letrar në qendër të analizës, duke e zgjeruar atë drejt një hapësire krahasuese europiane. Në vend të një historie letrare të mbyllur, ai propozon një metodë që përfshin analizën e varianteve tekstuale, krahasimin ndërkulturor të motiveve dhe rileximin kritik të kanonit letrar shqiptar.
Në veprën e tij, teksti letrar nuk trajtohet si një dokument identitar i mbyllur, por si një strukturë estetike e hapur ndaj ndërveprimit kulturor dhe historik.
– DE RADA dhe romantizmi si përvetësim estetik
Në historiografinë tradicionale, De Rada është interpretuar kryesisht si poet kombëtar dhe si mbledhës e studiues i traditës arbëreshe. Megjithatë, një lexim filologjik dhe krahasues lejon të shihet edhe një dimension më kompleks estetik në veprën e tij.
Në Këngët e Milosaos, koha narrative nuk ndjek gjithmonë një linearitet klasik, por shfaq një organizim më të fragmentuar dhe lirik. Kjo strukturë e afron veprën me romantizmin europian, duke krijuar pika takimi me poetikën e Lamartinit dhe Bajronit, pa e reduktuar atë në një model të thjeshtë imitimi.
Në këtë kuptim, tradita folklorike nuk funksionon thjesht si material burimor, por si element i transformuar në një formë estetike moderne.
Në një nivel më të thellë interpretimi, vepra e De Radës mund të shihet edhe si një formë e hershme e ndërtimit të kujtesës kulturore arbëreshe përmes poezisë, ku identiteti nuk paraqitet si kategori e dhënë, por si proces i vazhdueshëm rikonstruktimi estetik dhe gjuhësor. Kjo e vendos atë në një hapësirë ndërmjet romantizmit europian dhe një proto-moderniteti kulturor me funksion identitar.
– ZEF SKIROI dhe formalizimi simbolik
Në veprën e Zef Skiroit vihet re një zhvendosje graduale drejt autonomisë së formës letrare. Ndryshe nga romantizmi i De Radës, ku theksi bie më shumë mbi subjektin dhe kujtesën historike, te Skiroi gjuha fillon të funksionojë gjithnjë e më shumë si sistem simbolik më i organizuar.
Struktura ritmike, densiteti metaforik dhe organizimi i imazheve poetike e afrojnë krijimtarinë e tij me prirjet simboliste europiane të fundit të shekullit XIX. Në këtë kuptim, Skiroi mund të shihet si një figurë tranzitore në zhvillimin e modernitetit letrar shqiptar, ku vëmendja zhvendoset gradualisht nga përmbajtja drejt formës.
Simbolizmi te Skiroi nuk duhet kuptuar si përvetësim i drejtpërdrejtë i një shkolle estetike europiane, por si rezultat i një procesi të brendshëm të abstragimit të gjuhës poetike. Ai qëndron në një hapësirë ndërmjet traditës lirike arbëreshe dhe modernitetit simbolist europian, duke funksionuar si ndërmjetës estetik më shumë sesa si përfaqësues i një sistemi të konsoliduar stilistik.
– ISMAIL KADARE dhe universalizimi narrativ
Në veprën e Kadaresë letërsia shqipe arrin një fazë ku historia kombëtare shndërrohet në strukturë narrative me potencial universal.
Në romanin Pallati i Ëndrrave, për shembull, universi osman nuk shërben vetëm si sfond historik, por si mekanizëm alegorik i pushtetit, kontrollit dhe administrimit të frikës.
Në këtë mënyrë, teksti mund të lexohet edhe si reflektim mbi format moderne të mbikëqyrjes dhe burokracisë, duke e integruar narrativën shqiptare në një diskurs më të gjerë të letërsisë botërore.
Në një lexim të mëtejshëm, proza e Kadaresë mund të kuptohet si një strategji estetike e distancimit historik, ku materiali lokal nuk zhduket, por transformohet në nivel simbolik dhe antropologjik. Ky proces i lejon narrativës të kalojë nga historia specifike drejt një strukture të përgjithësueshme, e cila ruan tensionin midis kontekstit kombëtar dhe universalitetit estetik.
– TRIADA E MODERNITIT si model interpretativ
Vlerësuar dhe parë sipas kësaj qasjeje, tri figurat e analizuara nuk përbëjnë një kanon të mbyllur, por një strukturë interpretuese që ndihmon në artikulimin e tre momenteve të modernitetit letrar shqiptar:
1. Përvetësimi kulturor – De Rada dhe transformimi i traditës folklorike në formë romantike.
2. Formalizimi estetik – Skiroi dhe autonomizimi gradual i gjuhës poetike simbolike.
3. Universalizimi narrativ – Kadare dhe shndërrimi i historisë në strukturë narrative me hapje universale
Prandaj, referuar referuar Profesor Mandalà-s, mendoj se moderniteti letrar shqiptar mund të kuptohet më shumë si proces transformimi estetik sesa si rend kronologjik i mbyllur.
Në vijën metodologjike të studimeve të Profesor Mandalà-s, letërsia shqipe mund të lexohet si hapësirë aktive e përpunimit dhe riformësimit estetik, dhe jo si periferi pasive e modernitetit europian. Analiza e tri figurave të mësipërme tregon se moderniteti shqiptar formohet përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me modelet europiane, të cilat nuk kopjohen, por rishkruhen dhe transformohen.
Në këtë kuptim, kjo qasje filologjike dhe krahasuese hap mundësinë për një rishikim kritik të historisë së letërsisë shqipe, duke e vendosur atë në dialog të barabartë me traditat estetike europiane.
