Në një epokë ku marrëdhëniet duhet të konkurrojnë çdo ditë me njoftimet e pandërprera dhe rrjetet sociale, një rutinë e re për çiftet po bën xhiron e botës në TikTok. Quhet “nata tre-orëshe” dhe premton të ndihmojë çiftet të rikthejnë lidhjen, intimitetin dhe kohën cilësore së bashku.
Ideja u prezantua rreth 18 muaj më parë nga influencuesja Rachel Higgins, nga San Diego. Ajo dhe bashkëshorti i saj kuptuan se koha e vetme që kishin së bashku në mbrëmje, pas gjumit të fëmijëve dhe para se të shkonin në shtrat, shpesh humbiste mes punëve të shtëpisë, rregullimit të lodrave, ushqimeve të shpejta dhe, mbi të gjitha, telefonave.
Për ta ndryshuar këtë, Higgins propozoi një rutinë të thjeshtë prej tre orësh, ku secila orë ka një qëllim të ndryshëm.
Ora e parë – Koha produktive
Çifti merret me punët e shtëpisë ose me detyra të vogla që duhen përfunduar. Ideja është që të rregullohet ambienti dhe të largohen detyrimet që mund të krijojnë stres më vonë.
Ora e dytë – Pa ekrane, vetëm për njëri-tjetrin
Kjo është koha e dedikuar ekskluzivisht çiftit, pa telefona dhe shpërqendrime. Mund të gatuajnë së bashku, të luajnë një lojë, të bisedojnë, të bëjnë diçka spontane apo edhe të bëjnë dush bashkë.
Sipas Higgins, qëllimi është i thjeshtë:
“Të flasim dhe të lidhemi vërtet.”
Ora e tretë – Koha personale
Ora e fundit i përket secilit veçmas. Pa presion dhe pa kritika. Njëri mund të lexojë, tjetri të shikojë një serial, të merret me një hobi apo thjesht të pushojë. Ideja është që edhe hapësira personale të jetë pjesë e një marrëdhënieje të shëndetshme.
Higgins e ka cilësuar këtë rutinë si “një ndryshim absolut të lojës” për marrëdhënien e saj. Këshilla është rikthyer së fundmi në vëmendje, në një kohë kur gjithnjë e më shumë çifte përballen me atë që njihet si “phubbing”, injorimi i partnerit për t’i kushtuar vëmendje telefonit.
Studimet kanë lidhur këtë sjellje të përsëritur me më pak afërsi emocionale dhe probleme në komunikimin brenda çiftit.
Ndërkohë, këshillat moderne për marrëdhëniet variojnë nga të luajturit më shumë së bashku, dërgimi i mesazheve qesharake gjatë ditës dhe organizimi i surprizave të vogla, deri te një qasje shumë më e thjeshtë: të vlerësosh rutinën dhe momentet e zakonshme që ndan me partnerin.
Ndoshta, në fund, sekreti nuk është aq i komplikuar: pak organizim, pak më pak telefon dhe pak më shumë kohë për njëri-tjetrin, të gjitha brenda tre orëve./mxh
