Last Updated on 25/06/2025 by adminfjala
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se në vend po hapen kolegje dhe universitete të huaja të cilat sipas saj pritet ta kthejnë Shqipërinë në një destinacion akademik konkurrues në rajon dhe më gjerë.
Duke folur në forumin e Ligës së Arsimit të Lartë “Gjon Durrahium”, Manasitirliu tha se po punohet për të pasur një tjetër universitet prestigjioz europian, Universitetin Compiegne të Francës që do të hapë kampusin e tij në Universitetin Politeknik të Tiranës.
“Ajo që sot ne po përjetojmë në ekosistemin e arsimit të lartë është zhvillimi me ritme të shpejta sa i përket dimensionit të ndërkombëtarizimit dhe profilizimit të universiteteve. Universitetet private janë pjesë e rëndësishme e arsimit të lartë. Ata luajnë një rol komplementar dhe ecim në një hap duke zhvilluar kështu standarde më të mira të arsimit, duke e bërë arsimin e lartë motorr të zhvillimit të shoqërisë, motor të zhvillimit ekonomik, duke krijuar mundësinë që arsimi i lartë t’i përgjigjet sfidave të kohës, të krijojë dhe ndërtojë burime njerëzore të afta për t’iu përgjigjur tregut të punës jo vetëm atij kombëtar por edhe atij global. Sot ne kemi universitete të huaja të cilat kanë hapur degët e tyre në Shqipëri, Kolegjin e Europës që finalizoi përpara pak ditësh dhe vitin e parë akademik në kampusin e Tiranës, ndërkohë që kemi hapur për herë të parë një universitet i cili është i modelit të ri, Universiteti i Studimeve në Distancë të Spanjës që ka hapur kampusin e tij në Gjirokastër. Po punojmë fort për të pasur një tjetër universitet prestigjioz europian, Universitetin Compiegne të Francës që do të hapë kampusin e tij në Universitetin Politeknik të Tiranës”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ajo u ndal dhe te nxitja e kërkimit shkencor dhe inovacionit:Universitetet janë baza e kërkimit shkencor dhe si të tilla duhet që t’i shfrytëzojnë akoma më shumë potencialet edhe në aspektin e kërkimit shkencor se këto janë ato piketa që krijojnë standardin e lartë që duam për universitetet tona. Edhe universitetet jopublike kanë arritur të përthithin fonde nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Janë 50 projekte gjatë 2023–2025 që janë përthithur nga universitetet jopublike. Vetëm këtë vit kemi financuar më shumë se 180 projekte të kërkimit shkencor dhe inovacionit ku një pjesë e tyre janë dedikuar për hapjen e laboratorëve të rinj duke zhvilluar dhe mbështetur infrastrukturën e kërkimit shkencor”, tha Manastirliu.