Komisioni i Ligjeve diskutoi projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke u ndalur veçanërisht te masa e bllokimit 72-orësh të llogarive bankare në rast dyshimesh për transaksione të paligjshme.
Përfaqësuesja e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Entila Zyba, sqaroi se urdhri për bllokimin e llogarive ka fuqi vetëm për 72 orë.
Pas këtij afati, vendimmarrja i kalon prokurorisë, e cila duhet të lëshojë një urdhër të ri për vijimin e bllokimit.
Megjithatë, anëtarët e komisionit nga të dyja krahët politikë ngritën shqetësimin se në praktikë, shumë llogari nuk zhbllokohen pas përfundimit të këtij afati, edhe kur mungon një vendim nga prokuroria. Sipas tyre, kjo ka sjellë raste të bllokimit të llogarive për periudha të gjata, madje deri në vite.
Për këtë arsye, deputetët kërkuan riformulimin e nenit 7 të projektligjit, në mënyrë që të qartësohet zbatimi i tij dhe të shmangen abuzimet.
Në fund, komisioni miratoi projektligjin dhe do të propozojë ndryshime për nenin që rregullon bllokimin e llogarive pas afatit 72-orësh./mxh
