Last Updated on 17/06/2025 by adminfjala
Polly Toynbee*
Helmi depërton në çdo aspekt të tmerrit që lidhet me bandat e shfrytëzimit seksual. Çdo element i tij përdoret nga forca të ndryshme politike, që nga vajzat tragjikisht vulnerabël dhe shfrytëzuesit e tyre të pështirë, deri te rastet e përzgjedhura që Torit dhe Farage-istët i përdorin si armë, pa u shqetësuar kurrë realisht për mirëqenien e përgjithshme të fëmijëve nën kujdes.
Èshtë e çuditshme që Torit po ndërhyjnë me kaq zell, kur ishin pikërisht ata që qëndruan në pushtet për pjesën më të madhe të kësaj historie të turpshme, që provokoi një valë hetimesh, shumicën e të cilave i injoruan. Partia Laburiste mendoi që hetimi i dytë i Alexis Jay, që zgjati 7 vjet dhe kushtoi 187 milionë paund, ishte i mjaftueshëm. Po ashtu mendonte edhe ajo, duke i qëndruar qëndrimit të Keir Starmerit “veprim, jo fjalë”—dhe që paraliza nga analiza, si me tragjedinë e Grenfellit, skandalin e gjakut të infektuar dhe hetimet e vazhdueshme të COVID-it, u shërben pak viktimave.
Një sërë prej pesë hetimesh vendore ishte planifikuar, duke filluar nga Oldham. Starmer dërgoi Louise Casey që të kryente një auditim, dhe ajo u kthye me një format të ri: një organ kombëtar që të mbikëqyrë hetimet vendore, me kompetenca ligjore për të detyruar dëshmitarët të paraqiten. “U kthyet mbrapa!” ulëritën Reform, Torit dhe mediat që i përkrahin, duke përdorur këtë si lojë politike pa u shqetësuar për substancën. Ndërrimi i qëndrimeve, reflektimi dhe përgjigjja ndaj fakteve të reja, në qeverisje, zakonisht i shërbejnë të mirës.
Sa për qëndrime të kthyera, le të mos harrojmë Boris Johnson, i cili e quajti shpenzimin e parave për hetimin e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve “hedhje parash dëm”. Më vonë Torit e bënë kryeministër.
Casey u autorizua të “zbulojë natyrën, përmasën dhe profilin” e shfrytëzimit seksual të fëmijëve nga grupet, të gjejë autorët dhe etninë e tyre. S’ishte surprizë që gjeti raste të shumta ku autoritetet i mbyllën sytë, nga frika se mos akuzoheshin për racizëm. Gjyqi i javës që kaloi, i 7 burrave me origjinë pakistaneze nga Rochdale, tregoi të njëjtën histori: përdhunime, drogim vajzash shumë të reja, pa pendesë nga autorët, ndërsa autoritetet i trajtonin vajzat si mbeturina. Punonjësit socialë e quajtën dëshmitaren “B” (10 vjeçe) prostitutë.
Faji qëndron kudo. Ata që duan ta përdorin këtë si armë të kulturës, do ta shohin që fajësimi kthehet edhe nga ana e tyre. Një kronologji që jep raporti i Casey-t, pas rreth 10 hetimesh, tregon dështimin e policisë dhe autoriteteve që përbuzën vajzat: pse u veprua kaq pak?
Laburistët i kanë përzgjedhur rekomandimet që do të zbatojnë: Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, ka urdhëruar rishqyrtimin e më shumë se 800 çështjeve të mbyllura para kohe. Ajo i ka kërkuar Agjencisë Kombëtare të Krimit të gjejë autorët që i shpëtuan hetimeve dhe të forcojë hetimin nga policitë vendore. Ajo po fshin nga dosjet penale dënimet që viktimat morën për prostitucion, ndërsa “ligji Hillsborough” që po përgatit, do t’i detyrojë autoritetet publike të tregojnë transparencë, nën kërcënimin e sanksioneve penale. Marrëdhëniet seksuale me të mitur nën 16 vjeç, pavarësisht pëlqimit, do të cilësohen përdhunim. Fëmijëve do t’u ndërtohen dosje që i lidhin të dhënat e tyre nga shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale.
Sekretari i Brendshëm i opozitës, Chris Philp, i tha Sky: “Qindra persona që qëndruan në pushtet me vite, qëllimisht e fshehën këtë. Mendoj që ata kanë kryer vepër penale dhe, sinqerisht, duhet të shkojnë në burg.” Por kush ishte ministër i krimeve dhe policisë në qeverinë e kaluar? Ai. Kemi Badenoch ishte ministre për fëmijët. Starmer qëndron pas akuzës se politikanë që tani tregohen të zellshëm për hetime, po përdorin tragjeditë për qëllime të ekstremit të djathtë: që raca qenka thelbi i problemit. Rastet shtrihen si te Torit, ashtu edhe te Laburistët. Çdo minutë që Starmer kaloi si Drejtor i Prokurorisë Publike u shqyrtua, por u pa që ai i përshpejtoi ndjekjet penale.
Ndërhyrja e çuditshme e Elon Musk e ndezi edhe më shumë debatin, me akuzën që Starmer ishte “thellësisht i përfshirë në përdhunimet masive, për të siguruar vota”, dhe që Jess Phillips ishte “një apologjet rape-genocidi”. Musk u nxit nga refuzimi i laburistëve për të mbështetur amendamentin Badenoch që kërkonte edhe një hetim, veprim që ishte projektuar që Laburistët të dukeshin të dyshimtë. Por ai ishte një manovër për të rrëzuar të gjithë projektligjin — pavarësisht se ai përfshinte edhe mbrojtje të fëmijëve nën kujdes.
Faktet kanë rëndësi, dhe na duhen më shumë. Casey gjen që meshkujt me origjinë pakistaneze qëndrojnë të mbipërfaqësuar në disa nga statistikat që disponojmë — por shton: “Të dhënat e etnisë, si për viktimat, ashtu edhe për autorët e shfrytëzimit seksual, nuk mjaftojnë që të nxirret një përfundim i saktë kombëtar.” Si Casey, ashtu edhe Cooper, i shohin këto shifra si të paplota; etnia u regjistrua vetëm në 1/3 e rasteve që Hydrant – që përmbledh të dhënat e policisë – ka dokumentuar.
Kjo është e pamjaftueshme, por ja shifrat që disponojmë: 83% e të dyshuarve që qëndrojnë pas shfrytëzimeve seksuale të fëmijëve janë të bardhë, 7% aziatikë, 5% me ngjyrë. Kur dëgjoj, p.sh., në radio që dikush deklaron që krimi “dominohet” nga pakistanezët, ai thjesht po përsërit dezinformacionin që Rod Liddle publikoi këtë javë te Sunday Times, ku thuhet që “abuzimi nga bandat e shfrytëzimit seksual” kryhet “pothuajse ekskluzivisht nga burra myslimanë (zakonisht pakistanezë) që përdhunojnë vajza të reja të bardha.”
Në të vërtetë, meshkujt me origjinë pakistaneze që dalin nga statistikat si autorë, përbëjnë një pjesë, por Richard Fewkes, drejtor i Hydrant, thotë që autorët pasqyrojnë përgjithësisht përbërjen etnike të popullsisë: “Në përgjithësi, nga të dhënat që kemi, asnjë etni e veçantë nuk dallohet nga popullsia e përgjithshme.” Ndoshta kjo do të ndryshojë me kalimin e kohës, por ata që qëndrojnë në vijën e parë të hetimeve shqetësohen që faktet e rreme e devijojnë vëmendjen nga vendet ku ndodh shumica e abuzimeve seksuale me fëmijë: 57% brenda institucioneve, 26% nga grupet që abuzojnë brenda familjes, dhe 48% nga fëmijë të tjerë.
Le të jemi të qartë: abuzimi i personave më vulnerabël të shoqërisë ka të bëjë me të gjithë, por raca përdoret nga luftëtarët kulturorë. Ata tregojnë pak interes për vuajtjet e fëmijëve që rriten nën kujdes. Gjatë qeverisjes konservatore, numri i fëmijëve nën kujdes u rrit nga 64,400 (2010) në 83,630. Shkurtimet për punonjësit socialë, infermierët dhe qendrat “Sure Start”, si dhe heqja e përfitimeve për fëmijët, i kanë çuar familjet drejt greminës, ndërsa fëmijët kanë përfunduar nën krahët e ftohtë të shtetit. A mund të ishte ironike që Torit e quajtën programin e tyre “Shtëpi të qëndrueshme, të ndërtuara me dashuri”? Fati i këtyre fëmijëve qëndron mes vendosjes nga një familje te tjetra dhe braktisjes që i pret sapo mbushin 16 vjeç. Një shifër zyrtare flet që 44% e fëmijëve të identifikuar si “në nevojë” mungojnë rregullisht nga shkolla. Ku përfundojnë? Në kthetrat e meshkujve që u ofrojnë drogë dhe dashuri të rreme?
Rishikimi i shpenzimeve që ka vendosur fonde shtesë për fëmijët nën kujdes, si edhe projektligji i fëmijëve që forcon rolin e të afërmve që i strehojnë, do të ndihmojë. Po ashtu, do të forcohet mbështetja për personat që dalin nga kujdesi dhe do të sfidohen fitimet që kompanitë private nxjerrin nga përkujdesja e dobët. Por a do të mjaftojë kjo që të fshijë damkën që i shoqëron këta fëmijë si “të pashpresë”?
Është ende herët për të thënë. Por ndërkohë, të jemi syçelë ndaj politikanëve që papritmas shqetësohen për fëmijët e abuzuar — por vetëm nëse autorët e krimeve vijnë, fjala vjen, nga Pakistani. Të jemi syçelë edhe ndaj përdëllimeve të rreme nga ata që, deri tani, e kanë injoruar trajtimin skandaloz që shteti u bën fëmijëve nën kujdes. Shumë syresh po përdorin tragjeditë për qëllime politike. Lotët e tyre janë lot krokodili.
*Polly Toynbee është kolumniste e Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi