Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baci ka reaguar përmes një deklarate lidhur me protestat dhe rolin e PD-së në organizimin e tyre, duke theksuar se kjo forcë politike duhet të marrë vetë drejtimin e protestave, me logon, flamurin dhe strukturat e saj.
Sipas Bacit, Partia Demokratike e ka protestën në ADN-në e saj, pasi ka lindur dhe është rritur përmes protestave, ndërsa ka mbijetuar duke protestuar dhe ka luajtur një rol vendimtar në vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Ai thekson se PD nuk ka nevojë për ftesën apo lejen e askujt për të protestuar, ndërsa pretendon se kjo forcë politike ka mbushur sheshet me mbështetës edhe në periudha shumë më të vështira se situata aktuale. Baci nënvizon gjithashtu se PD ka 13 vite që proteston pa ndërprerje dhe se ka vijuar protestat për gati një vit pas izolimit të kryetarit të saj.
Në reagimin e tij, Baci rendit edhe kushtet që, sipas tij, duhet të përmbushë PD për të pasur sukses në protestat e ardhshme. Ai kërkon që ato të organizohen nën siglën e Partisë Demokratike dhe të drejtohen nga kryetari i saj, ndërsa në krye të organizimit të jenë figura me integritet, të vlerësuara dhe të votuara nga demokratët.
Baci kritikon gjithashtu angazhimin në protesta të grupimeve të tjera, të cilat i cilëson si “Njësi Guerrile” neomarksiste, duke argumentuar se PD nuk duhet t’u japë rëndësi përmes debateve dhe përballjeve publike. Sipas tij, demokratët duhet të përqendrohen te organizimi i strukturave dhe pjesëmarrja konkrete, në vend të fotografive dhe videove nga protestat e organizuara nga të tjerët.
Në përfundim, ai kërkon që Partia Demokratike t’u rikthehet parimeve të Rithemelimit, demokracisë së brendshme, meritokracisë dhe vlerësimit të kontributeve, si dhe të bashkojë të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në këtë forcë politike.
Reagimi i plotë i Luan Bacit:
“PD është parti që lindi nga protesta, u rrit në protesta, mbijetoi nga protesta, shpëtoi pluralizmin duke protestuar, vazhdon të protestojë dhe të tregojë se është alternativa e vetme për rrotacionin e pushtetit!
PD nuk ka nevojë ta ftojnë për të dalë në protesta, as të marrë leje nga dikush, për të protestuar, ajo e ka në ADN e saj protestën!
PD ka mbushur sheshet me mbështetësit e shumtë të saj, në ditë dhe situata shumë më të vështira se keto qe po jetojme.
PD në ditët më të vështira të saj, e sulmuar dhe e goditur, nga narkoregjimi i Ramës, e goditur nga ndërkombëtarë të korruptuar nga ky narkoregjim, ka pasur mbi 500 mijë mbështetës, një numër i konsiderueshëm, që tregon vitalitetin e saj!
PD ka 13 vjet që proteston pa reshtur, pa u ndalur, e vetme, në kushte të vështira, nën presionin dhe goditjet e narkoregjimit të Ramës!
PD ka protestuar prej pothuaj një viti pa ndalim, çdo ditë kur i izoluan kryetarin e saj padrejtësisht dhe ky është një rekord i pakrahasueshëm deri tani!
POR….!
Që PD, të ketë sukses dhe mbështetje, nga qytetarët, duhet të dalë në protestë, me logon e saj, me flamurin e saj, me emrin e saj, me lavdinë e saj të pakrahasueshme me asnjë forcë tjetër politike!
Që PD të ketë sukses, në krye të protestës, në drejtim dhe organizim duhet të jetë KRYETARI i saj!
Që PD të ketë sukses në krye të saj duhet, të jenë njerëz dinjitozë dhe me integritet, që janë të respektuar, të vlerësuar dhe të votuar nga demokratët dhe qytetarët, duhen figura me qëndrim koherent, besnikë të palëkundur, të sprovuar në ditë dhe situata të vështira dhe jo nga ata që afrohen kur nuhasin erën ….
Që PD të ketë sukses, nuk ka nevojë të merret me ” Njesite Guerrile” neomarksiste, grupime të vogla të zhurmshme, bastarde të paguar nga regjimi!
Injorimi i tyre është mënyra më e mirë dhe jo faktorizimi i tyre duke debatuar me ta dhe duke rënë në nivelin e tyre!
Që PD të ketë sukses, nuk ka nevojë, që ne të bëjmë foto dhe video, selfie dhe pozime duke buzeqeshur, si pjesëmarrës në protesta, që organizojnë të tjerët.
PD ka mundesi dhe aftesi te organizoj vete protesta, PD ka nevojë për angazhim konkret për pjesëmarrje, për organizim të strukturave, për ngritje të frymës dhe besimit, se PD është alternativa e vetme për në pushtet dhe të tjerët janë ata, që duhet të kërkojnë t’i bashkëngjiten PD!
Që PD të ketë sukses, duhet t’u kthehet parimeve të RITHEMELIMIT, demokracise se brendshme, meritokracise, vleresimit te kontributeve, respektit per anetaret, të thërrasë te gjithe kontribuesit nder vite, te therras, të gjithë ata, që e mbështetën dhe kontribuan në atë proces të vështirë dhe të lavdishëm, te rithemelimit, që la gjurmë në historinë e PD, por që u zhvlerësua dhe u harrua!”
