Kompania Lufra ka reaguar zyrtarisht lidhur me bashkëpunimin me fermerët vendas dhe standardet e sigurisë ushqimore, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbetet prioritet absolut.
Në deklaratën e saj, Lufra sqaron se nuk refuzon fermerët, por ka detyrimin ligjor dhe moral të garantojë që qumështi i përpunuar të përmbushë të gjitha standardet e sigurisë dhe cilësisë, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë europian.
Kompania nënvizon se bashkëpunimi me fermerët vendas ka qenë dhe mbetet një vlerë themelore, ndërsa puna e përditshme me ta synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së qumështit. Sipas Lufrës, çdo vendim për mospranimin e përkohshëm të qumështit nga disa fermerë bazohet ekskluzivisht në analiza laboratorike dhe merret vetëm për të mbrojtur konsumatorin.
Lufra thekson se sapo kriteret e sigurisë ushqimore përmbushen, qumështi pranohet menjëherë, pa asnjë pengesë. Qëllimi i kompanisë është ndërtimi i një zinxhiri furnizimi të sigurt, të qëndrueshëm dhe plotësisht në përputhje me ligjin, në interes të fermerëve, kompanisë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve./K.M
