Last Updated on 18/02/2026 by Anisa
Vijojnë përplasjet mes Policisë së Shkodrës dhe banorëve të Rrjollit të cilët prej ditësh po protostojnë kundër ndërtimit të një resorti në zonën mes Velipojës dhe Ranës së Hedhun.
Në protestën e sotme mësohet se banorët kanë paralajmëruar grevë urie para SPAK , në rast se ata nuk marrin drejtësi nga Gjykata e Apelit Administrative.
Me argumentimin se ndërtimi i resortit po realizohet pa leje, banorët e kundërshtojnë projektin në fjalë dhe kërkojnë drejtësi që tokat e tyre të mos preken.
Por nga ana tjetër, kompania e ndërtimit të resortit turisitik çka prej ditësh ka ngjallur debate e përplasje fizike mes banorëve dhe policisë, ka publikuar dokumente përmes së cilave tregohet se realizimi i këtij projekti ëhstë në përputhje të plotë me ligjin.
Që nga nisja e idesë e deri në finalizimin e marrjes së lejes së ndërtimit, në muajin dhjetor të vitit 2024, ata pohojnë se kanë ndjekur me rigorozitet të gjitha procedurat e kërkuara dhe nuk kanë pasur asnjë problematikë në të gjitha hapat e aplikimit.
Ndër të tjera në këtë reagim Kompania Gener 2 thekson se në çdo fazë të projektit kanë respektuar me korrektësi të gjitha normat ligjore dhe institucionale, duke përfshirë këtu edhe dëgjesat publike me banorët e zonës.
“Kompania Gener 2 garanton se gjatë këtij procesi nuk i ka cënuar askujt të drejtat e pronësisë dhe asnjë të drejtë tjetër, por është mbështetur vetëm në vendimet e çertifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Çdo pretendim tjetër lidhur me pozicionin tonë për projektin “Blue Borgo” është një spekullim i pastër, pa asnjë lidhje me të vërtetën, të cilin e konsiderojmë një deformim të qëllimshëm ose jo, që thjesht dhe vetëm dezinformon publikun. Kompania Gener 2 mbetet plotësisht e angazhuar në realizimin në kohë dhe në cilësi të projektit “Blue Borgo” në përputhje të plotë me standartet më të mira bashkëkohore dhe në respekt të plotë me të gjitha procedurat ligjore të Republikës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kompanisë.
