Lufta në Jemen mund të përfundojë që nesër, nëse rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, pranojnë planin e paqes të mbështetur nga OKB-ja. Megjithatë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite do të vazhdojë presionin ushtarak derisa grupi të ulet në tryezën e negociatave. Kështu deklaroi zëdhënësi i koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Maliki, në një intervistë për Reuters.
Ai tha se Riadi ka vendosur një vijë të kuqe për mbrojtjen e Adenit, kryeqytetit të përkohshëm të qeverisë jemenase, duke paralajmëruar se koalicioni do të bëjë gjithçka për të mbrojtur qytetin port, ndërsa luftëtarët Houthi po afrohen gjithnjë e më shumë.
Konflikti është përshkallëzuar sërish dhe është kthyer në një nga frontet më të ashpra të luftës më të gjerë me Iranin. Përplasjet kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kanë zhvendosur qindra mijëra njerëz në Jemen. Ndërkohë, Arabia Saudite po përballet me sulme të përsëritura ndaj objektivave të rëndësishëm, përfshirë ndërtesa të larta në kryeqytetin Riad.
Houthët vetëm 80 kilometra larg Adenit, Jemeni në prag të një përshkallëzimi të rrezikshëm
Sulmet e Houthi-ve ndaj objektivave civile dhe ekonomike, si dhe ndërprerjet e transportit detar në Detin e Kuq, po kërcënojnë planet e Arabisë Saudite për të tërhequr investime të huaja dhe për të organizuar aktivitete të mëdha ndërkombëtare, si Ekspozita Botërore e vitit 2030.
Pavarësisht përpjekjeve për zgjidhje diplomatike, Riadi po përgatitet që lufta të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Qeveria jemenase, e mbështetur nga Arabia Saudite, ka hequr dorë nga objektivi fillestar për të rimarrë kryeqytetin Sanaa, që kontrollohet nga Houthi-t. Aktualisht, forcat qeveritare janë përqendruar në mbrojtjen e Adenit dhe në përpjekjet për të thyer rrethimin e qytetit Taiz.
“Zgjidhja më e mirë është ajo politike. Por ne duhet të mbështesim qeverinë jemenase për të arritur objektivat e saj”, tha al-Maliki, duke shtuar se nëse Houthi-t pranojnë planin e paqes të OKB-së, lufta mund të përfundojë menjëherë.
Deri në arritjen e një marrëveshjeje, koalicioni do të vazhdojë operacionet ushtarake dhe mbështetjen ajrore për forcat jemenase në terren. Sipas al-Maliki, avionët e koalicionit ofrojnë mbështetje gjatë gjithë kohës, ndërsa një nga objektivat kryesorë është shkatërrimi i raketave balistike dhe mjeteve ajrore pa pilot të Houthi-ve, të cilat përdoren për të kërcënuar qytetet saudite.
Nga ana tjetër, rebelët kërkojnë që Arabia Saudite të ndërpresë mbështetjen për qeverinë jemenase, të heqë kufizimet ndaj porteve dhe aeroporteve të vendit dhe të paguajë kompensim financiar.
Arabia Saudite ndërhyri për herë të parë në Jemen në vitin 2015, në krye të një koalicioni arab, me qëllim rikthimin në pushtet të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, pasi Houthi-t morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa. Pas disa vitesh luftimesh të përgjakshme, në vitin 2022 u arrit një armëpushim që në pjesën më të madhe u respektua deri në rifillimin e luftimeve këtë vit.
Pas shembjes së armëpushimit, Houthi-t kanë marrë nën kontroll zona të rëndësishme të bregdetit të Detit të Kuq, pranë ngushticës Bab al-Mandab, si dhe kanë rrethuar qytetin malor Taiz. Aktualisht, forcat e tyre ndodhen rreth 60 kilometra larg Adenit.
Pavarësisht humbjeve të fundit të qeverisë jemenase, përfshirë tërheqjen në nëntor nga disa pozicione pranë ngushticës Bab al-Mandab për të përforcuar mbrojtjen e Adenit, al-Maliki përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore saudite në Jemen.
Sipas tij, forcat e qeverisë jemenase kanë numrin e nevojshëm të ushtarëve, mbështetjen e fiseve dhe kapacitetet ushtarake për të përballuar luftimet. Ai shtoi se trupat saudite janë vendosur në kufirin jugor të vendit për të parandaluar çdo ndërhyrje të Houthi-ve në territorin saudit.
“Do të bëjmë gjithçka që nevojitet për të shkatërruar çdo kërcënim pranë kufirit tonë”, deklaroi ai.
Zëdhënësi pranoi se në tre muajt e fundit janë evidentuar dy raste me probleme në koordinimin e forcave jemenase në fushën e betejës, por shprehu bindjen se ushtria do të korrigjojë gabimet taktike dhe do të përmirësojë bashkëpunimin mes njësive.
Al-Maliki hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Arabia Saudite po përballet me mungesë të raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore. Ai siguroi se vendi ka rezerva të mjaftueshme dhe kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur territorin e tij.
Sipas Qendrës Kërkimore të Gjirit, deri në tetor Arabia Saudite kishte arritur të interceptonte më shumë se 92% të sulmeve ajrore. Megjithatë, goditjet ndaj objekteve të rëndësishme, përfshirë selinë e fondit sovran të pasurisë në zonën financiare të Riadit, kanë dëmtuar përpjekjet e vendit për t’u paraqitur si një qendër e sigurt për biznesin dhe investimet.
I pyetur se si ushtria saudite, e cila është pajisur me armatime me vlerë qindra miliarda dollarë gjatë dekadave të fundit, nuk ka arritur të ndalojë sulmet e Houthi-ve, al-Maliki i cilësoi ato si akte terroriste kundër civilëve dhe objekteve civile.
“Ajo që po bëjnë Houthi-t nuk është një operacion ushtarak. Është një akt terrori kundër civilëve dhe objekteve civile. Këtë mund ta bëjë kushdo”, tha ai, duke shtuar se koalicioni po përballet me një grup që, sipas tij, nuk respekton ligjet e luftës./mxh
