Konflikti që po përshkon Lindjen e Mesme ka nisur të godasë Evropën, duke ringjallur kujtime të krizave të mëparshme që tronditën Bashkimin Evropian.
Shtatë muaj pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, akuzonte Rusinë për manipulim të tregut energjetik të BE-së, duke theksuar se “ata preferojnë ta djegin gazin sesa ta dorëzojnë”. Ajo e quajti situatën një “luftë kundër energjisë, ekonomisë, vlerave dhe të ardhmes sonë”.
Por katër vjet më vonë, Evropa ndodhet sërish përballë frustrimit të thellë energjetik, këtë herë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjes së çmimeve të energjisë që pritet të dominojnë samitin e liderëve evropianë në Bruksel.
Diplomatë të BE-së pohojnë se, përveç planeve afatgjata për konkurrencën e Evropës në botë, liderët tani janë të shqetësuar për çmimet e energjisë, reagimet e votuesve dhe kërkojnë zgjidhje të shpejta.
“E njëjta krizë si pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia: konflikte të ndryshme, por të njëjtat ndarje dhe dilema për energjinë”, thotë një diplomat evropian anonim.
Vendet më të goditura dhe varësia nga SHBA-të
Që nga 2022-shi, Evropa ka reduktuar ndjeshëm varësinë nga gazi, nafta dhe qymyri rus. Sot vetëm 2% e importeve të naftës vijnë nga Rusia dhe importet e gazit rus do të ndalen plotësisht vitin e ardhshëm, duke kaluar në furnizues si Norvegjia dhe SHBA-të.
SHBA-të kanë marrë një rol kyç në sigurimin e energjisë për Evropën, duke u bërë furnizuesi më i madh i LNG-së (gazit të lëngshëm natyror). Gjermania merr tani 96% të LNG-së nga SHBA-të. Kjo varësi shpjegon pse kancelari gjerman Friedrich Merz mbeti i heshtur gjatë një takimi me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan kërcënoi me embargo tregtare ndaj Spanjës.
Marrëveshja e nënshkruar nga Von der Leyen me Trump parashikon blerjen e 750 miliardë dollarëve të naftës, LNG-së dhe teknologjive bërthamore amerikane në tre vitet e ardhshme. Por kjo vendos BE-në në një pozicion të dobët përballë SHBA-ve dhe e bën kontinentin shumë të ndjeshëm ndaj çmimeve globale dhe krizave politike.
Rreziku i Ngushticës së Hormuzit
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ka qenë praktikisht i bllokuar nga Irani që nga sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit më 28 shkurt. Çdo bllokim i ngushticës mund të shkaktojë rritje çmimesh që ndikon drejtpërdrejt në Evropë, edhe pse importet fizike nga Lindja e Mesme janë të kufizuara.
Çmimet e naftës dhe gazit u rritën ndjeshëm më 2 mars, duke reflektuar pasigurinë e furnizimit dhe frikën nga përhapja e krizës. Ekspertët paralajmërojnë se varësia e Evropës nga furnizuesit e jashtëm, si SHBA-të dhe Norvegjia, paraqet rreziqe të papritura, duke përfshirë natyrale ose politike që mund të ndërpresin furnizimin.
Presion mbi BE dhe kërkimi i zgjidhjeve afatshkurtra
Në prag të samitit të BE-së, liderët shqetësohen për çmimet e energjisë, inflacionin e mundshëm dhe ardhjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme, që mund të favorizojë politikanët populistë. Diskutohen masa të shpejta si kufizime çmimesh, ndryshime taksash dhe ndihma për industrinë.
Gjithashtu, qeveritë evropiane po shikojnë shembullin e Kinës, e cila ka përparuar me elektrifikimin dhe uljen e varësisë nga nafta dhe gazi, me më shumë se 30% të konsumit final të energjisë nga elektriciteti, krahasuar me vetëm 20% mesatar global dhe më pak se 25% në BE.
Ndarjet brenda BE-së dhe sfidat e politikës së gjelbër
Ndarjet janë të thella në BE: Vendet si Spanja, Suedia dhe Danimarka mbështesin ruajtjen e Sistemit të Tregtisë së Emisioneve (ETS), ndërsa vendet e Evropës Qendrore dhe Italia kërkojnë zbutje për çmimet e energjisë. Shumë ekspertë paralajmërojnë se BE-ja ka nevojë për një plan afatgjatë dhe realist për të siguruar pavarësi dhe siguri energjetike, duke investuar në energji bërthamore, diellore dhe të rinovueshme.
Sipas ekspertit Georg Zachmann, qëllimet ligjore të BE-së për reduktimin e emetimeve deri në 90% deri në 2040 janë shumë ambicioze dhe sfiduese, ndërsa politikanët frikësohen nga kostoja dhe reagimet e votuesve.
A do të jetë lufta në Iran një pikë kthesë?
Eksperti Dan Marks thotë se çdo krizë e gazit shihet si një pikë kthesë, por realiteti është se Evropa mbetet po aq e ekspozuar sa gjithmonë.
Liderët e BE-së që takohen në Bruksel janë të vetëdijshëm për këtë, por pyetja është nëse do të kenë unitetin dhe guximin për të bërë ndryshime të rëndësishme në politikën e energjisë./kb
