Last Updated on 30/09/2026 by EL
Prej vitesh, lufta në Ukrainë nuk zhvillohet vetëm në vijën e frontit. Mbi qytete, shtëpi dhe shkolla, beteja zhvillohet çdo ditë në ajër, mes dronëve dhe raketave ruse dhe sistemeve ukrainase të mbrojtjes ajrore. Ndërsa afrohet një tjetër dimër lufte, Ukraina po përgatitet për një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike dhe popullsisë civile.
Në Kiev, alarmet ajrore, zhurma e mbrojtjes kundërajrore dhe shpërthimet janë bërë pjesë e jetës së përditshme. Në një pozicion të mbrojtjes ajrore që mbron kryeqytetin, ushtarët përgatiten për kërcënime që mund të vijnë nga drejtime të ndryshme dhe me shpejtësi të ndryshme.
Sfida nuk është më vetëm numri i armëve që Rusia mund të lëshojë në ajër. Sulmet po kombinojnë gjithnjë e më shumë lloje të ndryshme kërcënimesh, nga dronët e tipit Shahed që mbërrijnë në valë të mëdha, te raketat balistike që u lënë mbrojtësve shumë pak kohë për të reaguar, si dhe dronë të rinj e më të shpejtë.
Rrugët e fluturimit ndryshojnë, koha e sulmeve ndryshon dhe armët afrohen nga drejtime të ndryshme, në përpjekje për të gjetur boshllëqe dhe për të mbingarkuar shtresat e mbrojtjes së qytetit.
Për ushtarët ukrainas, kjo është kthyer në një garë teknologjike. Sa herë që Ukraina gjen një mënyrë më të lirë apo më efikase për të rrëzuar dronët rusë, Rusia ndryshon mënyrën se si fluturojnë armët, shpejtësinë e tyre ose drejtimin e afrimit.
“Ukraina përshtatet. Rusia përshtatet. Dhe cikli fillon përsëri”, përshkruan situatën dokumentari i Euronews.
Pavlo Tsugunov, komandant i një baterie kundërajrore, thotë se javët e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira për Kievin.
“Javët e fundit kanë pasur sulme të vazhdueshme ndaj Kievit, periferive të tij, qendrës së qytetit, rajonit të Kievit dhe rajonit të Çernihivit. Me fjalë të tjera, ndaj shtëpive ku jetojnë njerëzit tanë të dashur”, thotë ai.
Sipas Tsugunov, presioni ndaj civilëve është pjesë e strategjisë ruse. “Kjo taktikë ka shumë gjasa të synojë frikësimin e popullsisë civile”, thotë ai, duke argumentuar se Rusia, në kushtet kur nuk po arrin përparim të drejtpërdrejtë në front, synon të dobësojë mbështetjen e popullsisë për ushtrinë ukrainase.
Por kufijtë e mbrojtjes ajrore shihen qartë edhe në qytet.
Jashtë një kopshti të dëmtuar nga një sulm, një djalë i vogël i tregon Euronews se ka parë momentin kur droni goditi ndërtesën.
“Droni fluturoi pikërisht mbi kokat tona dhe e goditi këtu”, tregon ai.
Kur armët depërtojnë
Kur një raketë ose dron arrin të depërtojë nëpër mbrojtjen ajrore, nis një tjetër garë, këtë herë në tokë.
Një nga objektivat kryesore të sulmeve ruse mbetet sistemi energjetik i Ukrainës. Në një impiant elektrik të dëmtuar në rajonin e Kievit, ekipet e riparimit punojnë për të rikthyer energjinë, ndërsa kërcënimi i një sulmi tjetër mbetet i pranishëm.
Punonjësit e DTEK Kyiv Regional Grids, operatorit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në rajon, mund të hyjnë në zonat e dëmtuara vetëm pasi ushtria dhe shërbimet e emergjencës konfirmojnë se situata është e sigurt.
Serhii, një teknik riparimi, thotë se banorët presin rikthimin e energjisë, por alarmet e vazhdueshme ajrore e ngadalësojnë punën.
“Njerëzit na kërkojnë të ndezim dritat, por nuk mund ta bëjmë këtë sepse alarmet bien vazhdimisht, çdo ditë, gjatë gjithë ditës”, thotë ai.
Ndërsa flet për Euronews, dëgjohen shpërthime në afërsi. Një tjetër dron po afrohet drejt zonës.
“Le të largohemi pak nga vendi, sepse mund të dëgjoni se çfarë po ndodh”, thotë Serhii.
Është një dilemë me të cilën përballen prej kohësh punonjësit e energjisë në Ukrainë: të njëjtat sulme që ndërpresin energjinë mund të pengojnë edhe ekipet që përpiqen ta rikthejnë atë. Në disa raste, objektiv bëhen edhe vetë punonjësit që riparojnë dëmet.
Sipas DTEK Kyiv Regional Grids, ekipet e saj kanë rikthyer energjinë për më shumë se 700 mijë familje në rajon pas sulmeve ruse. Në disa raste, të njëjtave familje u është dashur t’u rikthehet energjia më shumë se një herë.
Përgatitjet për dimrin e ardhshëm kanë marrë parasysh edhe përvojën e dimrave të kaluar. Kompania thotë se që nga fillimi i vitit ka riparuar më shumë se 1,200 kilometra linja elektrike dhe ka modernizuar mbi 400 objekte energjetike në rajonin e Kievit.
Janë krijuar gjithashtu rezerva me pajisje dhe materiale zëvendësuese, janë forcuar masat mbrojtëse rreth objekteve energjetike dhe janë përgatitur ekipe emergjence që mund të reagojnë shpejt pas një goditjeje.
Oleksii, drejtues i operacioneve të rrjetit të tensionit të lartë në DTEK Kyiv Regional Grids, e përshkruan punën si një zinxhir që nis në qiell dhe përfundon në tokë.
“Shpresoj shumë që sistemet tona të mbrojtjes ajrore do të na ndihmojnë duke rrëzuar shumicën dërrmuese të armëve që përdoren aktualisht. Dhe më pas është radha jonë. Ne do të riparojmë çdo gjë që është dëmtuar”, thotë ai.
Familjet përgatiten për një tjetër dimër lufte
Për ukrainasit, përgatitjet për dimrin nuk kanë përfunduar asnjëherë.
Pas disa dimrash me ndërprerje të energjisë, mungesa e elektricitetit, ngrohjes dhe komunikimeve nuk është më një skenar i panjohur. Jeta e përditshme mund të varet nga bateritë, gjeneratorët dhe çdo burim tjetër energjie në dispozicion.
Edhe familjet po përgatiten.
“Çdokush po përgatitet për dimrin. Të gjithë po përgatiten shumë mirë. Edhe prindërit e mi, edhe miqtë e mi”, thotë Anna, një banore e Kievit.
Përgatitjet janë bërë pjesë e jetës së zakonshme. Disa ruajnë ushqime për muajt e dimrit, të tjerë instalojnë inverterë, panele diellore, bateri ose grumbullojnë power bank.
“Shokët e mi më të rinj nuk kishin ruajtur kurrë ushqime më parë, por tani kanë mësuar si ta bëjnë”, tregon Anna.
Ajo e ka përjetuar luftën që prej vitit 2014, kur u largua nga Luhansku pas pushtimit të qytetit nga forcat e mbështetura nga Rusia. Kur nisi pushtimi në shkallë të gjerë në vitin 2022, ajo vendosi të qëndronte në Ukrainë, pjesërisht për shkak të prindërve të saj të moshuar.
Por pas vështirësive të dimrit të kaluar, Anna thotë se tani po mendon për herë të parë të largohet nga vendi.
“Nëse situata bëhet vërtet e rëndë, do të iki. Do të iki sepse jam e shqetësuar për fëmijën tim”, thotë ajo.
Djali i saj 10-vjeçar ka jetuar tashmë në dy faza të luftës. I lindur në Luhansk, ai ishte ende i vogël kur qyteti u pushtua në vitin 2014.
Anna thotë se fëmijët ukrainas janë detyruar të mësojnë shumë herët të jetojnë me kërcënimin e vdekjes.
“Kur flasin për diçka që bën ‘bum’ diku, thonë: ‘Nëse kjo është vdekja ime, atëherë do ta pranoj’. Fëmijët tashmë flasin kështu. Edhe djali im ma thotë këtë”, rrëfen ajo.
Fëmijët që po rriten nën sulme
Për Maryna, një tjetër banore e Kievit, mbijetesa nis me tingullin e telefonit.
“E mbaj gjithmonë të ngritur zërin e telefonit, në mënyrë që të kuptoj saktësisht se çfarë lloj alarmi po bie”, thotë ajo.
Nëse alarmi paralajmëron për raketa, vendimi duhet marrë menjëherë.
“Pastaj kemi dy sekonda për të dalë në korridor. Nuk arrijmë të zbresim në strehë. Nuk kemi kohë, sepse brenda dy sekondash jemi në korridor ose në banjë dhe shpërthimet e forta tashmë kanë filluar”, tregon Maryna.
Vajza e saj, Emma, është nëntë vjeçe. Ajo nuk ka njohur shkollën pa luftë dhe nuk mban mend ditë pa sulme.
Për fëmijët e brezit të saj, fjalori i luftës është bërë pjesë e fëmijërisë. Ata njohin alarmet, dallojnë tingujt e shpërthimeve dhe dinë se ku duhet të strehohen.
Kur pyetet se si tingëllon mbrojtja ajrore pranë shkollës së saj, Emma përgjigjet thjesht:
“Si kokoshka.”
“Si kokoshka që kërcasin?”
“Po.”
Është përshkrimi i një fëmije për një tingull që është bërë pjesë e zakonshme e rritjes në një qytet nën luftë.
Beteja për Ukrainën vazhdon në llogore dhe qytete përgjatë një fronti prej qindra kilometrash. Por e njëjta luftë zhvillohet edhe në qiellin mbi qytetet larg vijës së frontit.
Dhe ndërsa afrohet një tjetër dimër, ajo që ndodh në qiell mund të përcaktojë jetën poshtë tij: nëse shtëpitë do të qëndrojnë të ngrohta, nëse dritat do të qëndrojnë ndezur, nëse fëmijët do të mund të vazhdojnë shkollën dhe nëse jeta e zakonshme do të mund të vazhdojë.
Ukraina është përshtatur me luftën. Edhe Rusia ka përshtatur mënyrën e sulmit.
Për miliona ukrainas, pyetja mbetet e njëjtë: Kur të vijë raketa tjetër, a do të ketë ende diçka që mund ta ndalojë?
