Klubi i Lushnjës ka vendosur të ndryshojë trajnerin pas rezultateve zhgënjyese të javëve të fundit, duke ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Ditmar Bicaj disa ditë më parë.
Largimi i tij la bosh pankinën e skuadrës lagunare, ndërsa drejtuesit nisën menjëherë konsultimet për gjetjen e pasuesit. Pas një mbledhjeje të zhvilluar nga strukturat drejtuese, u vendos që drejtimi i ekipit t’i besohej një emri të njohur për kampionatet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë.
Bledi Kadiu është zgjedhur për të marrë drejtimin e Lushnjës, duke nisur kështu një aventurë të re në pankinën e skuadrës. Trajneri ka dalë nga akademia e Dinamos, ku ka drejtuar ekipin U21 për 18 ndeshje, duke fituar përvojë në menaxhimin e lojtarëve të rinj. Pas kësaj eksperience, ai mori drejtimin e skuadrës së Luzi 2008, të cilën e udhëhoqi për 10 takime, përpara se të largohej nga detyra.
Pas një periudhe pa ekip, Kadiu u rikthye sërish te Luzi 2008 me besimin e presidentit Albert Lusha. Në këtë rikthim, ai drejtoi skuadrën në katër ndeshje kampionati, por bashkëpunimi u ndërpre sërish pas një sërë akuzash dhe mosmarrëveshjesh. Tashmë, trajneri do të fokusohet te sfida e re me Lushnjën, në një moment delikat të sezonit.
Skuadra lagunare aktualisht renditet në vendin e 10-të në Kategorinë e Parë, me 16 pikë të grumbulluara. Pozicioni në renditje e vendos ekipin në një situatë të ndërlikuar, duke e bërë objektivin e mbijetesës prioritetin kryesor për pjesën e mbetur të kampionatit.
Drejtuesit shpresojnë që ndryshimi në pankinë të sjellë stabilitet dhe rezultate pozitive në javët në vijim./K.M
