Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar për një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, ku rregullat dhe e drejta ndërkombëtare po dobësohen. Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Macron tha se bota po largohet nga paqja, stabiliteti dhe parashikueshmëria, duke hyrë në një periudhë çekuilibrash dhe tensionesh të reja.
Sipas tij, po vihet re një zhvendosje e qartë nga demokracia drejt autokracisë, ndërsa dhuna po rritet ndjeshëm. Macron theksoi se viti 2024 ka shënuar mbi 60 konflikte në mbarë botën, një rekord absolut, duke shtuar se konfliktet janë bërë të zakonshme dhe po shtrihen edhe në fusha të reja si hapësira, teknologjia digjitale, informacioni, kibernetika dhe tregtia.
“Po shohim një zhvendosje drejt një bote pa rregulla, ku e drejta ndërkombëtare po shkelet dhe ku ligji i vetëm që duket se vlen është ai i më të fortit. Ambiciet perandorake po rikthehen.”
Presidenti francez paralajmëroi gjithashtu se mungesa e qeverisjes kolektive globale po minon aftësinë e vendeve për të përballuar sfidat e përbashkëta. Sipas Macron, bashkëpunimi po zëvendësohet nga një konkurrencë e ashpër, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare.
Ai kritikoi politikat tregtare të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se disa marrëveshje dhe tarifa të reja dëmtojnë interesat eksportuese të Europës dhe përdoren si mjet presioni, madje edhe ndaj sovranitetit territorial.
“Pa qeverisje kolektive, bashkëpunimi i lë vendin një konkurrence të pamëshirshme, me tarifa dhe presione që janë thelbësisht të papranueshme.”
Fjalimi i Macron në Davos vjen në një moment kur tensionet gjeopolitike dhe ekonomike janë në rritje, ndërsa liderët botërorë kërkojnë rrugë për të rivendosur dialogun, rregullat dhe bashkëpunimin ndërkombëtar./mxh
