Bashkimi Europian ndodhet në një moment vendimtar dhe për të mbetur një aktor i fortë global duhet të qëndrojë i bashkuar. Ky ishte mesazhi kryesor i kryeministrit kroat, Andrej Plenkovic, gjatë një paneli mbi të ardhmen e Europës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Plenkovic theksoi se rendi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe qeverisja globale po ndryshojnë me shpejtësi, duke e detyruar Bashkimin Europian të pozicionohet qartë.
“Organizatat ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare dhe qeverisja globale, ashtu siç i njihnim, po ndryshojnë shumë shpejt. Mënyra e vetme e sigurt që BE të mbetet aktor është të jetë sa më e bashkuar.”
Në të njëjtin panel, kryeministri belg Bart De Wever paralajmëroi se Europa është në një udhëkryq dhe duhet të zgjedhë mes unitetit ose përçarjes, veçanërisht nën presionin e Shteteve të Bashkuara.
Ai deklaroi se SHBA mbetet aleate e Europës, por sipas tij, aleanca duhet të funksionojë në mënyrë të ndërsjellë. De Wever kritikoi politikat amerikane, duke thënë se Bashkimi Europian ka toleruar tarifat amerikane me shpresën për të siguruar mbështetje për Ukrainën, por tashmë disa “vija të kuqe” po kapërcehen.
“Shtetet e Bashkuara janë aleate, por duhet të sillen si të tilla. Kërcënimi rus nuk është aq i madh nëse Perëndimi është i bashkuar, por ne nuk jemi dhe Putin e sheh këtë.”
Sipas De Wever, ekonomia ruse është e dobët dhe kërcënimi ushtarak i Moskës rritet vetëm atëherë kur Perëndimi është i përçarë. Ai shtoi se do të takohej me presidentin amerikan Donald Trump një ditë më pas, duke sqaruar se takimi ishte planifikuar përpara se të lindte çështja e Groenlandës.
Mesazhi i përbashkët nga Davosi ishte i qartë: përballë sfidave gjeopolitike, presioneve ekonomike dhe kërcënimeve të sigurisë, uniteti i Bashkimit Europian shihet si kushti kryesor për të ruajtur ndikimin dhe stabilitetin e kontinentit./mxh
