Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se një ekip i parë i ushtarëve francezë ndodhet tashmë në Grenlandë dhe se prania ushtarake do të forcohet në ditët në vijim me mjete tokësore, ajrore dhe detare.
Deklarata u bë të enjten, më 15 janar, gjatë fjalimit të Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura franceze. Macron theksoi se Franca po vepron në koordinim me aleatët e saj për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Arktikut.
Më herët gjatë ditës, presidenti francez thirri një mbledhje urgjente të kabinetit të mbrojtjes në Paris, ku u diskutua qëndrimi i presidentit amerikan Donald Trump për synimin e Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Grenlandës, si edhe situata e tensionuar në Iran pas shtypjes së protestave mbarëkombëtare.
Ndërkohë, edhe vende të tjera aleate si Gjermania, Norvegjia dhe Suedia kanë nisur dislokimin e trupave në Grenlandë, në shenjë mbështetjeje për Danimarkën dhe autoritetet lokale në Nuuk.
Ky zhvillim vjen pas një takimi të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Grenlandës, i cili nxori në pah dallime të thella dhe ende të pazgjidhura mbi të ardhmen e ishullit strategjik.
Në fjalimin e tij, Macron nënvizoi gjithashtu përpjekjet e Francës dhe të Bashkimit Evropian për të forcuar mbrojtjen, duke theksuar se, sipas tij, “historia nuk e fal as mungesën e përgatitjes dhe as dobësinë.”/mxh
