Last Updated on 04/12/2025 by Kesjana
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka konfirmuar publikisht se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment të tensionuar të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Duke folur në televizionin shtetëror, Maduro deklaroi se telefonata, e zhvilluar rreth dhjetë ditë më parë, ishte “respektuese dhe e përzemërt”.
“Fola me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Mund të them se biseda ishte respektuese dhe madje e përzemërt”, tha Maduro.
Maduro theksoi se ai vendosi të fliste tani për të shmangur “diplomacinë e mikrofonit” dhe përhapjen e informacionit të pasaktë nga mediat ndërkombëtare.
“Nuk më pëlqen diplomacia me mikrofonë; kur ka çështje të rëndësishme, ato duhen trajtuar me qetësi derisa të zgjidhen!”
Maduro kujtoi përvojën e tij si ministër i jashtëm për gjashtë vite nën udhëheqjen e Hugo Chavez-it, duke thënë se kjo e ka mësuar rëndësinë e maturisë diplomatike. Ai theksoi se çështjet delikate duhet të trajtohen me qetësi dhe diskrecion derisa të zgjidhen.
“Gjatë gjashtë viteve të mia si ministër i jashtëm, mësova maturinë diplomatike dhe më pas, në këto vite si president, me përvojën e të qenit ministër i jashtëm dhe duke qenë i mentoruar nga Komandanti ynë Chavez, e vlerësoj maturinë”, tha Maduro, duke iu referuar udhëheqësit të ndjerë venezuelian Hugo Chavez, gjatë të cilit ai ishte ministër i jashtëm.
Sipas tij, telefonata me Trump mund të përfaqësojë një hap drejt një “dialogu të respektueshëm” mes Caracasit dhe Uashingtonit, duke shtuar se Venezuela do të synojë gjithmonë paqen dhe zgjidhjen diplomatike të mosmarrëveshjeve.
Megjithatë, Maduro nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme rreth përmbajtjes së bisedës, duke u kufizuar të theksojë se shpreson që kontakti të shërbejë për të forcuar paqen, pavarësinë dhe dinjitetin e Venezuelës. Ai e mbylli deklaratën me një thirrje besimi dhe lutjeje.
“Me hir të Zotit dhe Komandantit tonë të Komandantëve, Zotit tonë Jezu Krisht, gjithçka do të shkojë mirë për paqen, pavarësinë, dinjitetin dhe të ardhmen e Venezuelës”, tha ai.
Komentet e tij erdhën pasi Donald Trump konfirmoi gjithashtu se kishte folur me udhëheqësin venezuelian, në një periudhë që konsiderohet si një nga krizat më serioze diplomatike midis dy vendeve në vitet e fundit./kb
