Last Updated on 20/04/2026 by Monika
Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Hungari, Péter Magyar, ka njoftuar se vendi i tij do të rikthehet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) dhe do të zbatojë urdhër-arrestet e lëshuara nga ky organ i pavarur gjyqësor, përfshirë edhe atë që lidhet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Kujtomë se kryeministri në largim, Viktor Orbán, kishte bërë të ditur vitin e kaluar se Hungaria do të tërhiqej nga GJPN-ja, pasi kishte pritur Netanyahun në Budapest. Ky vendim ishte parashikuar të hynte në fuqi më 2 qershor 2026.
Pas fitores së tij në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Magyar njoftoi menjëherë se Hungaria do të rikthehej në GJPN. Megjithatë, sipas një njoftimi nga Izraeli lidhur me një bisedë telefonike që ai pati me Netanyahun, ai e ka ftuar kryeministrin izraelit në Budapest më 23 tetor, me rastin e 70-vjetorit të kryengritjes së vitit 1956 kundër sovjetikëve.
I pyetur nga gazetarët për këtë kontradiktë, Magyar sqaroi se ai ka ftuar të gjithë liderët me të cilët ka zhvilluar biseda telefonike.
“Kur një vend është anëtar i GJPN-së dhe një person i kërkuar hyn në territorin e tij, ai duhet të arrestohet,” deklaroi politikani konservator dhe pro-evropian pas mbledhjes së parë të grupit të tij parlamentar. “Nuk është e nevojshme t’i them të gjitha në telefon. E marr si të mirëqenë se çdo kryetar shteti i njeh këto ligje,” shtoi ai.
Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunëtorët e tij po shqyrtojnë mënyrën se si qeveria e ardhshme mund të pezullojë procesin e tërheqjes nga Gjykata Penale Ndërkombëtare para datës 2 qershor.
GJPN-ja, me seli në Hagë, ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj Netanyahut për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Magyar njoftoi gjithashtu se seanca e parë e parlamentit të ri do të mbahet në fundjavën e 9–10 majit, kur ai pritet të betohet edhe zyrtarisht si deputet./mxh
