Last Updated on 20/04/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin për Paketën e Maleve, është shprehur se ky program është vetëm për ato që duan të ndërtojnë një fermë apo agrobiznes dhe jo për investitorët e mëdhenj.
Rama theksoi se potenciali i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm dhe se fitimet nga turizmi mund të jenë shumë të larta.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë ka bërë një thirrje për ata që janë të interesuar të ngrenë agrobiznese, të cilët sipas tij duhet të mbajnë një ekuilibër në çmime kryesisht, por duhet të kenë kujdes edhe për cilësinë dhe shërbimin.
Sipas tij kur tabela e çmimeve ka vlera shumë të larta, ai biznes është i destinuar të falimentojë.
“Kjo paketë është shumë probiznes. Në Shqipëri nuk ka oligarkë. Ky program është vetëm për ata që duan të zhvillojnë pronën e tyre, duan të rindezin oxhakun në shtëpinë e gjyshërve të tyre, për ata që duan të ndërtojnë një fermë apo agrobiznes. Paketa e Maleve nuk është për investitorët e mëdhenj. Është shumë e rëndësihme për tu kuptuar diçka për turizmin. Ajo që duket sikur ka arritur në majë vetëm sa ka filluar. Potenciali i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm dhe fitimet nga turizmi mund të jenë dhe shumë më të mëdha. Ne duhet të synomë ata që konsumojnë shumë dhe agroturizmat mund të bëhen trasformuesit në këtë drejtim, duke rritur shërbimin, duke mbajtur një ekuilibër në çmime. Duke bërë lista, apo tabelën e çmimeve me atë urinë për të fituar sot edhe atë që do fitosh nesër, ti bën varrmihësin e biznesit tënd. Ti duhet të fitosh mbi atë që ke investuar hap pas hapi. Kur turistët largohen të pakënaqur nga raporti cilësi-shërbim-çmim, atëherë ato vende janë të destinuar të kthehen në varreza. Nuk vjen më njeri dhe hotelet e investimet falimentojnë. Duhet pasur shumë kujdes, jo vetëm për popullin por për veten dhe interesin tuaj. Nëse klienti vjen dhe gjen një ekip që buzqesh dhe që është i gatshëm ta presë me durim, të fal dhe të metat”, u shpreh Rama./mxh
