Tretëmbëdhjetë persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje kritike, pasi një makinë u përplas me turmën gjatë një gare të tipit “Demolition Derby” në juglindje të Australisë. (Demolition derby është një lloj gare me makina ku qëllimi kryesor nuk është shpejtësia, por të përplasësh automjetet kundërshtare dhe të mbijetosh deri në fund).
BBC shkruan se ngjarja ndodhi në qytetin Walcha të shtetit New South Wales, gjatë mbrëmjes së të shtunës, kur një nga makinat, që po merrte pjesë në garë, përplasi një gardh dhe goditi tribunën e tifozëve. Gara ishte pjesë e aktivitetit vjetor të “Walcha Motorcycle Rally”, një event ku pjesëmarrësit përplasin automjetet e tyre njëri me tjetrin.
Brendan Moylan, anëtar i parlamentit për rajonin Northern Tablelands, ku bën pjesë dhe Walcha, deklaroi të dielën në rrjetet sociale se në spital mbeten ende nëntë persona dhe se “të gjithë po rikuperohen”. Fillimisht, policia kishte raportuar për nëntë të lënduar. Moshat e viktimave të rastësishme varionin nga 20 deri në 75 vjeç, ndërsa një nga personat në gjendje kritike ishte një burrë 54-vjeç.
Policia tha se kishte marrë informacion se drejtuesi 27-vjeçar i makinës ishte përfshirë në një përplasje në pistë pak para se të përplasej me gardhin.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e Facebook-ut të “Walcha Motorcycle Rally”, Këshilli i Walcha-s tha se ishte “i tronditur dhe i shtangur nga aksidenti fatkeq”.
Këshilli tha se do të bashkëpunojë me autoritetet për të “ekzaminuar rrethanat që çuan në aksident”.
Dhënia e komenteve para përfundimit të hetimeve do të ishte “e papërshtatshme”.
Në një postim në Facebook, Moylan falënderoi ekipet e emergjencës dhe kalimtarët për “punën e tyre të shpejtë dhe jashtëzakonisht profesionale në vendngjarje”.
“Mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit,”shkroi ai.
Barnaby Joyce, ish-zëvendëskryeministër dhe deputet aktual për zonën New England, shkroi në Facebook se “mendimet, lutjet dhe shpresat” e tij janë me të plagosurit në aksident.
“Një fund kaq i trishtuar për një ngjarje kaq të bukur,” shkroi ai./kb
