Kina ka konfirmuar se bisedimet mes Pakistan dhe Afghanistan po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme, në një përpjekje për t’i dhënë fund tensioneve të forta mes dy vendeve fqinje.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, deklaroi se Pekini ka luajtur një rol aktiv ndërmjetësues, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me të dyja palët dhe duke krijuar kushte për dialog.
Sipas saj, si Pakistani ashtu edhe Afganistani kanë mirëpritur ndërmjetësimin e Kinës dhe kanë shprehur gatishmëri për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve, duke e konsideruar këtë një zhvillim pozitiv.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar që prej muajit tetor, në atë që cilësohet si përplasja më e rëndë që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në Kabul në vitin 2021. Përleshjet kanë shkaktuar dhjetëra viktima nga të dyja palët, me pasoja më të rënda në territorin afgan.
Autoritetet në Islamabad akuzojnë talebanët afganë për strehimin e militantëve islamikë që kryejnë sulme në Pakistan, ndërsa Kabuli i hedh poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si çështje të brendshme të fqinjit.
Kina, e cila ndan kufij me të dy vendet, ka intensifikuar përpjekjet diplomatike javët e fundit, përmes kontakteve të nivelit të lartë dhe dërgimit të emisarëve specialë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të nxitur stabilitet në rajon.
Autoritetet kineze bëjnë të ditur se detaje të tjera mbi procesin e bisedimeve do të publikohen në vijim, ndërsa dialogu mes palëve pritet të vazhdojë në një frymë konstruktive./mxh
