Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se lista zyrtare e Kombëtares për ndeshjet e radhës do të publikohet më 18 shtator, në të njëjtën kohë me konferencën për shtyp të trajnerit Rolando Maran.
Por pas kësaj liste pritet të fshihet një panoramë shumë më e gjerë e futbollistëve të vëzhguar nga stafi i trajnerit italian.
Sipas informacioneve ekskluzive që Top Channel disponon nga burimet e gazetarit Endi Tufa, Rolando Maran ka shpërndarë rreth 50 ftesa në funksion të këtij grumbullimi. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të gjithë këta lojtarë do të jenë pjesë e listës përfundimtare. Trajneri ka dashur të ketë një panoramë sa më të gjerë, të vlerësojë gjendjen e lojtarëve dhe të shohë nga afër edhe disa profile të reja.
Për këtë arsye, lista përfundimtare pritet të jetë më e gjerë se zakonisht. Maran kërkon të ketë alternativa në dispozicion dhe njëkohësisht të testojë disa emra që mund të bëhen pjesë e Kombëtares në të ardhmen.
Një prej risive është Sabah Kerjota. Sulmuesi shkodran i Hearts ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij në Skoci dhe veçanërisht me golin e shënuar në minutën e 96-të, që i dha skuadrës së tij fitoren 2-1 ndaj Dundee-t më 6 shtator.
Risi priten edhe nga Dinamo City, me Klevi Qefalian, Usni Ismailin dhe Naser Alijin në listën e pritjes dhe të vëzhgimit. Qefalia dhe Ismaili janë emra të rinj për Kombëtaren A, ndërsa Aliji ka pasur më parë eksperiencë me fanellën kuqezi dhe mund të rikthehet në konsideratë.
Mungesa dhe rikthime
Sa i përket situatës së lojtarëve, mungesa e konfirmuar është ajo e Thomas Strakoshës. Portieri kuqezi ka pësuar një frakturë në kyçin e dorës dhe pritet të qëndrojë jashtë për të paktën katër javë, duke humbur kështu të katërta ndeshjet e këtij cikli. Në anën tjetër, Ernest Muçi është rikthyer në aktivitet dhe po vjen në një moment të mirë, ndërsa Rey Manaj dhe Taulant Seferi janë gjithashtu kandidatë për rikthim në grup. Nazmi Gripshi mbetet në dispozicion dhe nuk ka arsye të klasifikohet si mungesë për shkak dëmtimi.
