Përmes një publikimi në faqen e saj zyrtare, Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) ka njoftuar lajmin për marrëveshjen për huanë direkte prej 302 milionë dollarësh, në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF), me Republikën e Shqipërisë.
Në njoftimin e DSCA, rikonfirmohet angazhimi i SHBA për aleanca dhe partneritete të forta dypalëshe, të bazuara në respektin reciprok, investimet e përbashkëta dhe prioritetet strategjike.
Në këtë kuadër, ka reaguar edhe Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë , Ermal Nufi, duke e cilësuar si një lajm të mirë që ka jehonë përtej shifrës prej 302 milionë dollarësh për huanë direkte të Financimit të Huaj Ushtarak me SHBA.
“DSCA njofton lajmin e mirë për huanë direkte të Financimit të Huaj Ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Konfirmim edhe një herë i SHBA i besimit të tyre te Shqipëria, te Aleanca jonë dhe te rruga që kemi zgjedhur për modernizimin e Forcave të Armatosura.
Marrëveshja për huanë direkte në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF) është një investim i rëndësishëm në kapacitetet tona mbrojtëse dhe në aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar edhe më shumë në sigurinë e përbashkët të NATO-s. Nga Angazhimi i Hagës te NATO 3.0, Shqipëria po e kthen vizionin në kapacitete konkrete.
Ky është më shumë se financim. Është besim, partneritet strategjik dhe investim në sigurinë e së ardhmes. Burimi: Agjencia për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes”, shkruan Nufi./k.m
