Ertil Mansaku, Helidon Bele dhe Artan Sulejmani janë drejtuesit e rinj të Degëve Doganore Morinë, Shkodër dhe Bllatë. Ata kanë marrë sot detyrën, në kuadër të vijimit të punës dhe forcimit të kapaciteteve drejtuese të Administratës Doganore Shqiptare.
Në Degën Doganore Morinë, detyrën e drejtuesit të ri e mori z. Ertil Mansaku, në Degën Doganore Shkodër z. Helidon Bele, ndërsa në Degën Doganore Bllatë z. Artan Sulejmani.
Drejtuesit e rinj, të cilët vijnë nga një përvojë e gjatë në administratën doganore, zhvilluan takime me stafet e degëve përkatëse, ku diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në përmbushjen e detyrave.
Në fokus të punës së këtyre strukturave mbetet zbatimi korrekt i procedurave doganore, garantimi i një shërbimi efikas dhe profesional, si dhe përmbushja e objektivave të Administratës Doganore në funksion të lehtësimit të tregtisë së ligjshme dhe forcimit të kontrollit doganor.
“Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe puna në ekip janë elementë thelbësorë për vijimin e një administrate doganore moderne dhe në shërbim të qytetarëve dhe biznesit”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
