Last Updated on 21/10/2026 by Klara
Kryeministri Edi Rama ka folur sot gjatë një takimi me drejtues të sistemit bankar për ndërhyrjet malinje në Shqipëri që po përpiqen të nxisin urrejtje fetare.
Rama është shprehur se këto ndërhyrje malinje po i fryjnë zjarrit të urrejtjes së antisemitizmit, për të ngatërruar atë që nuk duhet të ngatërrohet, miqësinë që Shqipëria ka me Izraelin, me hebrenjtë sikundër dhe miqësinë që ka me Turqinë, Arabinë Saudite, Katarin etj.
“Këtu nuk është vetëm çështje e ANTIFA-s, këtu ka ndërhyrje malinje të lidhura me pozicionin e Shqipërisë dhe të lidhura me përpjekje djallëzore për të yshtur urrejtje fetare.
Shpreh neverinë time për të gjithë ata të cilët i fryjnë zjarrit të urrejtjes së antisemitizmit, për ata që ngatërrojnë atë që nuk duhet ngatërruar, jemi një vend mik i Izraelit, i hebrenjve ashtu siç jemi një vend mik i Arabisë, Katarit, i Turqisë.
Ne jemi vend i vogël që kemi nevojë për miq, të rrisim ekonominë, të rrisim mirëqenien, ne duhet të jemi një vend që shihet si një vend për turizëm, apo një vend ku të huajt të vijnë të jetojnë këtu, të investojnë këtu, duke sjellë para, dije, eksperiencë.
Sa herë Shqipëria ngjitet lart, bëhet objekt sulmi nga brenda dhe jashtë.
Jemi vendi me rritjen më të madhe të ekonomisë në rajon. Kemi qenë bishti i kavallit. Do të vazhdojmë të rrisim ekonominë”, tha Rama./k.m
