Kryeministri i Mançesterit të Madh, Andy Burnham, ka shkëmbyer disa mesazhe me një person që pretendonte të ishte Susie Wiles, shefja e stafit të Presidentit amerikan Donald Trump.
Rasti u raportua fillimisht nga Politico dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë e komunikimeve mes zyrtarëve të lartë. Burime thanë se Burnham komunikoi me personin përmes mesazheve, por pas pak kohe dyshoi se kontakti mund të ishte i rremë.
Sipas burimeve, mes Burnham dhe personit që pretendonte të ishte Wiles u shkëmbyen vetëm disa mesazhe dhe asnjë prej tyre nuk kishte përmbajtje të rëndësishme. Pasi u ngritën dyshimet, komunikimi iu raportua menjëherë autoriteteve përkatëse.
Downing Street nuk pranoi të komentojë rastin, duke deklaruar se qeveria nuk komenton çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Susie Wiles përdoret në një tentativë për të mashtruar zyrtarë të lartë. BBC ka raportuar më herët se telefoni personal i Wiles ishte hakuar dhe se persona të paidentifikuar kishin përdorur kontaktet e saj për t’u dërguar mesazhe zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë senatorë, guvernatorë dhe drejtues biznesesh.
Wiles, një nga aleatet kryesore të Trump, ishte gjithashtu në shënjestër të një grupi kibernetik të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit në vitin 2024.
Një rast të ngjashëm kishte përjetuar edhe ish-ministri i Jashtëm britanik David Cameron. Në vitin 2024, Ministria e Jashtme britanike konfirmoi se Cameron kishte komunikuar me një person që pretendonte të ishte ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko. Të dy kishin shkëmbyer edhe disa mesazhe, përpara se të zbulohej se bëhej fjalë për një mashtrim.
Autoritetet britanike publikuan më pas detaje të komunikimit, duke thënë se ekzistonte shqetësimi se biseda mund të keqpërdorej ose manipulohej./mxh
