Kylian Mbappé po përjeton një start spektakolar me Real Madridin, duke hyrë me shpejtësi në librat e historisë së klubit. Sulmuesi francez ka realizuar 82 gola në 90 paraqitjet e tij të para me “Los Blancos”, një statistikë që e pozicionon mes nisjeve më të forta që ka njohur ndonjëherë klubi madrilen.
Në renditjen historike pas 90 ndeshjeve të para, vetëm dy emra qëndrojnë mbi të: Ferenc Puskás me 96 gola dhe Cristiano Ronaldo me 86. Mbappé mban vendin e tretë, duke lënë pas figura ikonike si Alfredo Di Stéfano (73 gola), Hugo Sánchez (63), Ruud van Nistelrooy (62) dhe Ronaldo Nazário (61).
Forma e tij e jashtëzakonshme po reflektohet edhe këtë sezon. Francezi ka shënuar 38 gola në total, 23 prej tyre në La Liga, duke u futur fuqishëm në garën për “Këpucën e Artë”. Aktualisht ai ka grumbulluar 46 pikë, vetëm dy më pak se Harry Kane dhe katër më pak se Erling Haaland. Mbappé ka kontribuar gjithashtu me pesë asiste, ndërsa Kane ka të njëjtin bilanc, por me dy ndeshje më shumë të zhvilluara. Haaland, nga ana tjetër, ka 28 gola në 36 paraqitje këtë edicion.
Që prej transferimit të tij në verën e vitit 2024, ndikimi i Mbappé në “Santiago Bernabéu” ka qenë i menjëhershëm. Brenda një viti e gjysmë ai ka arritur në kuotën e 82 golave, duke iu afruar ndjeshëm shifrave të Vinícius Jr., i cili kishte 84 gola me fanellën e Realit që nga viti 2018. Statistikat flasin qartë: Mbappé jo vetëm që është përshtatur shpejt, por po ndërton një kapitull të ri në historinë e klubit./mxh
