Vendi prodhoi një sasi rekord prej 900.8 mijë tonësh mbetje gjatë vitit 2025, ndërsa riciklimi mbeti praktikisht i pandryshuar, duke lënë vendin të mbështetet kryesisht te depozitimi në landfill.
Të paktën këtë panoramë tregojnë të dhënat e publikuara nga INSTAT mbi mbetjet e ngurta urbane 2025.
Sasia e mbetjeve të menaxhuara u rrit me 4.5% krahasuar me vitin 2024, duke treguar një rritje të konsumit dhe të mbetjeve të gjeneruara nga familjet dhe aktivitetet ekonomike ku turizmi është një prej sektorëve.
Çdo banor në Shqipëri prodhoi mesatarisht 383 kilogramë mbetje gjatë vitit, ose 23 kilogramë më shumë se një vit më parë, niveli më i lartë i regjistruar në të paktën tre vitet e fundit. Megjithatë, rritja e mbetjeve nuk është shoqëruar me përmirësim të riciklimit.
Vetëm 18% e mbetjeve u ricikluan gjatë vitit 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, ndërsa 77% e tyre u depozituan në landfill, çka tregon ekonomia qarkulluese mbetet ende e pazhvilluar pavarësisht disa nismave të izoluara.
Të dhënat tregojnë se sistemi i menaxhimit të mbetjeve vazhdon të mbështetet te depozitimi, pavarësisht objektivave për rritjen e riciklimit dhe reduktimin e mbetjeve që përfundojnë në landfill.
Në tre vitet e fundit, volumi i mbetjeve është rritur me rreth 57 mijë tonë, nga 844 mijë tonë në vitin 2023 në mbi 900 mijë tonë në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, mbetjet për banor janë rritur nga 351 në 383 kilogramë në vit.
Ndërkohë, shërbimi i grumbullimit mbulon 90.3% të popullsisë, çka do të thotë se rreth një në dhjetë banorë ende nuk përfshihen në sistemin formal të menaxhimit të mbetjeve.
INSTAT vëren gjithashtu se përbërja e mbetjeve urbane ka mbetur pothuajse e pandryshuar ndër vite./monitor-ad
