Nga piktura klasike te video-lojërat, ky studim mbi tabunë dhe të çoroditshmen nuk do t’ju lejojë të largoni vështrimin
Chloë Ashby
Muzeumet gjenden gjithmonë mes dy zjarreve: po i shpërfillën problemet e së shkuarës, kritikohen se janë problematike; po i ndryshuan etiketat e tyre sipas politikave të reja, quhen moralizuese dhe “woke” (ndjekëse të rrymave të modernizmit shoqëror). Fakti është se historia është e mbushur me art imoral. Por, si ta dallojmë kur e shohim? Dhe çfarë duhet të bëjmë me të, nëse duhet të bëjmë diçka?
Në librin e saj të ri, i cili vjen në kohën e duhur dhe me një stil goditës, filozofja Daisy Dixon eksploron disa nga veprat më kontroverse të artit të prodhuara ndonjëherë. Ajo është e interesuar për mënyrën sesi karakteri i një artisti mund të ndikojë mbi krijimet e tij, si dhe për pasojat e dëmshme që këto krijime mund të kenë në botë.
Ajo nuk është e para. Platoni shqetësohej për fuqinë e artit për të korruptuar qytetarët, ndërsa Oscar Wilde vlerësonte potencialin e tij provokues. Më së fundmi, Claire Dederer analizoi problematikën se çfarë duhet të bëjmë me artin e madh të krijuar nga njerëz të këqij, në librin e saj të vitit 2023, “Monsters”.
Megjithatë, nëse prisni që te “Depraved” (I shthurur / I çoroditur) të gjeni një vështrim konvencional të historisë së artit, do të zhgënjeheni. Përbri mediave tradicionale nga parahistoria e deri më sot—përfshirë pikturat, romanet dhe shfaqjet teatrale—rreshtohen “forma arti” më bashkëkohore, si video-lojërat; gjithashtu ka edhe një sfocusim të gjatë mbi pornografinë. Disa prej gjërave janë aq të pështira sa është e vështirë edhe të lexosh për to. Flitet për peshq të kuq të gjallë që grihen në blender në emër të artit të performancës, si dhe për një film me skena tronditëse pedofilie. Një video-lojë e quajtur “Rape Day” (Dita e Përdhunimit) nuk ka nevojë për shpjegim, por Dixon nuk ju lejon të largoni vështrimin.
Çoroditja, shkruan ajo, mund të fshihet nën sipërfaqen e një “pëlhure të bukur të mbytur në vaj”. “Çfarë ka të gabuar në këtë pikturë të bukur?” pyet ajo për veprën “Përdhunimi i Evropës” të Titian-it, një pikturë mahnitëse e shekullit XVI, ku princesha tërhiqet zvarrë nëpër detin e kripur nga Jupiteri, mbreti i zotave, i shndërruar në dem. “E po, ajo na thotë se dhuna seksuale është joshëse dhe erotike. Na thotë se fjala ‘Jo’ nuk vlen si një refuzim i vërtetë; se gratë, thellë brenda vetes, e dëshirojnë një dhunim të tillë.” Por çfarë teksture! Çfarë ngjyrash ndriçuese! Çfarë emocioni i pastër! Ndiej veten të revoltuar përpara se të pranoj se sytë e përlotur të demit dhe kurora me lule ndoshta e zbukurojnë dhimbjen.
Skulptura e parë e një gruaje të zhveshur ishte aq reale, saqë një burrë tentoi të kryente marrëdhënie me të
Sipas autores, arti mund të jetë i çoroditur në pesë mënyra: mund të shfaqë një gjendje imorale të gjërave; të shtyjë dikë të bëjë një veprim të keq; të përcjellë një mesazh të rrezikshëm; të jetë krijuar nga një artist imoral; ose të jetë realizuar në një mënyrë moralisht të dyshimtë. Harrojini qëllimet e mira. Në vitin 2017, shpërthyen protesta rreth kontributit të Dana Schutz në Bienalen “Whitney”—një pikturë e trupit të runosun të Emmett Till, djalit me ngjyrë 14-vjeçar i cili u vra në vitin 1955 pasi u akuzua rrejshëm se kishte flirtuar me një grua të bardhë. Qëllimi i Schutz ishte të paraqiste pendimin e të bardhëve. Reagimi kryesor i opinionit ishte se përdorimi i dhimbjes së njerëzve me ngjyrë si material ishte përvetësim (përfitim) pa të drejtë. “Shprehja artistike mund të degjenerojë edhe kur shprehet në mirëbesim,” shkruan Dixon.
Si e ndryshon arti busullën tonë morale? Sipas shkrimtarëve antikë, skulptura e parë greke e një gruaje të zhveshur ishte aq reale, saqë një burrë tentoi të kryente marrëdhënie seksuale me të, përpara se të hidhej nga shkëmbi i mbytur në turp. Ian Brady dhe Myra Hindley, të cilët abuzuan seksualisht dhe vranë pesë fëmijë në Mançester dhe rrethinat e tij në vitet ’60, ishin lexues të rregullt të veprave “sadiste” të Markizit de Sad (Marquis de Sade). Në vitet ’90, Marilyn Manson dhe grupi i tij u akuzuan për korruptimin e rinisë së zhgënjyer.
Cili duhet të jetë reagimi ynë? Dixon nuk nguron të japë një përgjigje. Në të kaluarën, veprat që konsideroheshin tepër korruptuese për syrin e publikut futeshin nëpër koleksione të fshehta. Ajo beson se arti i shthurur nuk është diçka që duhet fshehur, por duhet përballur “me zë të lartë, me zemërim, me bukuri”—emocione këto që mbartin frymën e këtij libri pasionant, i cili, ashtu si ato etiketat e ndryshuara nëpër muze, do të gëzojë disa dhe do të bëjë të tjerët të lëvizin sytë me mospërfillje. “Zgjidhja,” shkruan Dixon, “është një shprehje më e mirë. Art më i mirë. Kurim më i mirë.” Ajo e bën të duket aq e thjeshtë.
