Last Updated on 04/08/2026 by EL
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se Dogana Shqiptare po përballon me efikasitet fluksin e lartë të udhëtarëve gjatë sezonit turistik, duke garantuar procedura të shpejta, të sigurta dhe shërbim të pandërprerë në të gjitha pikat doganore të vendit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, Malaj prezantoi të dhënat mbi lëvizjen e pasagjerëve dhe mjeteve, duke theksuar se vetëm gjatë muajit korrik, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka regjistruar mbi 1.8 milionë pasagjerë dhe rreth 9.500 fluturime.
Ministri nënvizoi gjithashtu se edhe portet kryesore të vendit kanë përballuar një fluks të konsiderueshëm. Në Portin e Durrësit janë regjistruar 111 mijë pasagjerë dhe rreth 40 mijë automjete, në Portin e Sarandës 131 mijë pasagjerë dhe 250 automjete, ndërsa në Portin e Vlorës kanë kaluar 17 mijë pasagjerë dhe rreth 5 mijë mjete.
“Mbi 1.8 mln pasagjerë në korrik nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 9 500 fluturime përmes këtij aeroporti. Dogana shqiptare garanton një menaxhim të suksesshëm të fluksit të pasagjerëve.
Porti i Durrësit: 111 mijë pasagjerë dhe 40 mijë automjete. Porti i Sarandës: 131 mijë pasagjerë dhe 250 automjete; Porti i Vlorës: 17 mijë pasagjerë dhe 5 mijë mjete”, shkruan Malaj.
Sipas ministrit, Dogana Shqiptare ofron shërbim 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke garantuar mbarëvajtjen e lëvizjes së udhëtarëve dhe mjeteve në të gjitha pikat kufitare.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve që, përpara udhëtimit, të njihen me rregullat doganore përmes Manualit Doganor të Pasagjerit, i cili mund të aksesohet në faqen zyrtare të Doganës Shqiptare ose duke skanuar kodin QR. Sipas tij, manuali u mundëson udhëtarëve të informohen mbi procedurat dhe detyrimet doganore, duke lehtësuar kalimin në kufi dhe duke shmangur vonesat gjatë udhëtimit./et
