Një hapësirë e posaçme dhe miqësore për fëmijët është inauguruar pranë Zyrës Përmbarimore në Pogradec. Ambienti do të shërbejë për takimet e fëmijëve me prindërit e divorcuar, në zbatim të vendimeve gjyqësore, duke synuar shmangien e stresit dhe presionit që mund të krijojnë procedurat përmbarimore. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Zëvendësministrja e Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Hapësira e re është konceptuar si një ambient i sigurt dhe i përshtatshëm për fëmijët, ku takimet me prindërit të zhvillohen në kushte më njerëzore dhe larg atmosferës formale të një institucioni përmbarimor.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, e cilësoi këtë nismë si një hap drejt një sistemi drejtësie më të ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijëve, duke theksuar se interesi më i lartë i tyre duhet të jetë në qendër të çdo procedure.
“Ajo që përuruajmë sot nuk është thjesht një ambient i ri. Ai është një hap konkret drejt një drejtësie më njerëzore, më të aksesueshme dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të fëmijëve. Një institucion i drejtësisë nuk duhet të jetë për fëmijën një hapësirë që krijon frikë apo pasiguri. Përkundrazi, duhet të jetë një vend ku ai ndihet i mirëpritur, i dëgjuar dhe i respektuar”,-tha Hoxha.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit, Ergys Qirici, në fokus të punës së strukturave përmbarimore janë mijëra vendime gjyqësore që lidhen me fëmijët, përfshirë jo vetëm takimet me prindërit, por edhe detyrimet për pensionet ushqimore. Qirici bëri të ditur gjithashtu një risi në mënyrën e njoftimit të debitorëve që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë ose kur adresa e tyre nuk mund të gjendet.
Qirici tha se janë mbi 10 mijë vendime gjyqësore që lidhen me çështje të tilla, ndërsa theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.
“Janë gjithsej mbi 10 mijë vendime gjyqësore. Pjesa më e madhe nuk lidhet vetëm me takimin e fëmijës, por edhe me pensionet ushqimore dhe çështje të tjera. Fokusi i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit dhe i Ministrisë së Drejtësisë është që interesi më i lartë i fëmijës të jetë prioritar”,-tha Qirici.
Ndërsa për familjet që përballen me pamundësi financiare për të ndjekur procedurat, institucionet ofrojnë edhe mekanizma të ndihmës juridike, përfshirë asistencën me avokat dhe mundësinë e përjashtimit nga tarifat përmbarimore, në përputhje me parashikimet ligjore.

Hapësira të tilla synojnë që zbatimi i vendimeve gjyqësore për takimet prind-fëmijë të kryhet në një mjedis më të sigurt dhe më të përshtatshëm për të miturit, duke vendosur në qendër të procesit nevojat dhe mirëqenien e tyre./k.m
