Last Updated on 05/06/2026 by Kesjana
FED invest mban Asamblenë e Përgjithshme Vjetore XIII dhe
prezanton rezultatet e vitit jubilar 2025
Tiranë, Qershor 2026 – Shoqëria e Kursim-Kreditit FED invest zhvilloi Asamblenë e
Përgjithshme Vjetore XIII, forumin më të lartë vendimmarrës të institucionit, ku delegatë dhe
përfaqësues të anëtarësisë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për të shqyrtuar rezultatet e vitit
2025, për të miratuar dokumentet statutore dhe për të përcaktuar prioritetet strategjike për vitin
2026.
Asambleja u zhvillua në një moment historik për institucionin, pasi viti 2025 shënoi 10-vjetorin e
FED invest-it si institucion i konsoliduar dhe me 33 vite traditë në tregun e financës sociale
shqiptare. Përgjatë këtij rrugëtimi, FED invest ka evoluar nga një rrjet shoqërish kursim-krediti në
kooperativën financiare më të madhe në vend, duke mbështetur fuqishëm zhvillimin ekonomik të
familjeve, fermerëve dhe sipërmarrjeve të vogla.
Gjatë vitit 2025, FED invest përforcoi pozicionin e tij si lider në tregun e shoqërive të kursim-
kreditit, duke shënuar një sërë arritjesh pozitive në dimensionin financiar dhe social. Numri i
anëtarëve tejkaloi objektivin prej 100 mijë (+ 4.6% kundrejt vitit paraardhës), ndërsa aktivet totale
arritën vlerën e 9.9 miliardë lekëve, portofoli i kredisë në rreth 7 miliardë lekë, ndërsa depozitat e
anëtarëve u rritën në 5.6 miliardë lekë. Institucioni ruajti një pozicion të fortë financiar me
mjaftueshmëri kapitali prej 21%. Përmes këtyre treguesve, FED invest rikonfirmon misionin e tij
për përfshirjen financiare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjeve mikro dhe SME, në
zonat rurale/sem-iurbane dhe ato urbane, duke u shërbyer edhe segmenteve më pak të shërbyer
në tregun financiar, si dhe duke fuqizuar sipërmarrjet e grave dhe të rinjve.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Këshillit Drejtues, Znj. Zana Konini, theksoi rëndësinë e vitit jubilar
dhe të rolit që anëtarët kanë luajtur në suksesin e institucionit:
“10-vjetori i FED invest është dëshmi e forcës së modelit tonë kooperativ dhe e besimit që mbi
100 mijë anëtarë kanë treguar ndër vite. Ky sukses është rezultat i një pune të përbashkët, i
përkushtimit të stafit dhe i mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë. Ne do të vazhdojmë të
forcojmë përfshirjen financiare dhe të mbështesim zhvillimin e komuniteteve ku operojmë.”
Administratori i FED invest, Z. Perlat Sulaj, prezantoi rezultatet kryesore të aktivitetit dhe
prioritetet e institucionit per vitin 2026:
“Viti 2025 ishte një nga vitet më të suksesshme në historinë e FED invest. Rritja e aktivitetit
kreditues dhe e depozitave, forcimi i eficiencës operacionale, investimet në teknologji dhe zgjerimi
i bashkëpunimeve ndërkombëtare na kanë mundësuar të ofrojmë më shumë mundësi për
anëtarët tanë. Prioritetet tona për vitin 2026 mbeten rritja e qëndrueshme, zhvillimi digjital, forcimi
i sigurisë teknologjike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve.”
FED invest disbursoi mbi 3,800 kredi të reja me vlerë rreth 3.35 miliardë lekë përgjatë vitit 2025,
duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe nxitjen e punësimit. Një
vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së fermerëve, grave sipërmarrëse dhe bizneseve të
vogla, të cilat përveç financimit patën qasje edhe në paketën e shërbimeve jo-financiare të
këshillimit, trajnimit, informimit dhe edukimit financiar të ofruara përmes Qendrës ABA. Këto arritje
u mundësuan edhe falë mbështetjes dhe partneriteteve strategjike me institucione të
rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare si Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB),
EFSE, JICA, Helenos, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit etj.
Përmes një dialogu të hapur me menaxhimin dhe Këshillin në takimet rajonale, delegatët sollën
vizionin dhe zërin e tyre nga terreni, duke dhënë një kontribut me vlerë në formësimin e strategjisë
dhe adresimin e sfidave të së ardhmes.
FED invest rikonfirmoi angazhimin e tij për të mbetur pranë anëtarëve dhe komuniteteve lokale,
duke kombinuar financimin e përgjegjshëm me edukimin financiar, këshillimin profesional dhe
zhvillimin rural të qëndrueshëm./kb
