Nga Mentor Kikia
(Në vend të një letre mirëseardhjeje për ambasadorin e ri të SHBA)
I nderuar ambasador Wendt!
Ju, padyshim, që jeni informuar për çdo gjë që ka ndodhur dhe ndodh në Shqipëri. Por ne kemi një zakon, që sado të dinë të tjerët, ne dimë diçka më shumë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë këshilla, edhe kur nuk na i kërkojnë. Ju keni marrë shumë të tilla këto ditë, por edhe unë unë nuk po i rezistoj këtij tundimi zakonor.
Dua “t’ju tregoj” për nje çështje, që është e rëndësishme për politikën tonë të jashtme, por më shumë se kaq, për karakterin tonë si popull.
Z.Ambasador!
Shqiptarët janë një popull mirënjohës dhe për këtë arsye ne jemi një popull thellësisht pro-amerikan. Viti 1920, në Paris; Viti 1999, në Prishtinë, Viti 2009, në Bruksel – Selia e NATO-s, janë data të shtrenjta e të shenjta për ne, si kontribute historike të Amerikës së madhe për Shqipërinë e vogël dhe shqiptarët.
Ndaj, “anti-amerikanizmi” është gati një vepër penale në Shqipëri!
Por dua ta ndaj pro-amerikanizmin e popullit nga pro-amerikanizmi i klasës politike. Dua të ndaj pro-amerikanizmin e sinqertë dhe me shpirt, nga ai që udhëhiqet më shumë nga interesi, sepse pro-amerikanizmi, për një politikan shqiptar konsiderohet si një vizë për të bërë karrierë, ndaj një fotografi në Washington është shumë e rëndësishme dhe shpesh paguhet shtrenjtë.
Dua t’Ju tregoj për “pro-amerikanizmin”, por edhe “anti-amerikanizmin” qytetar!
Në datën 8 gusht, kur u lajmërua emërimi Juaj si ambasador në Tiranë, njoftimi i publikuar në faqen në Facebook të ambasadës në Tiranë, mori 8.000 pëlqime, 1.600 komente dhe 282 ndarje. Asnjë publikim i mëparshëm në këtë faqe nuk kishte patur këtë interes.
Qytetarët që lanë komentet aty, po përpiqem ti ndaj në 3 kategori:
-Ata qe shprehën kënaqësi që “më në fund” po vjen ambasadori amerikan. Ata thjeshtë ju uruan. Madje shumë ju uruan “Ardhsh i bardhë”, urim ky qe përdoret për Vitin e Ri.
-Ata që ju mirëpresin me shpresën se ju do të sillni ndryshime në Shqipëri, pra do të jeni “një vit i mbarë, më i mirë se viti paraardhës”.
-Ata që shpresojnë që ju të riktheni besimin e shqiptareve tek Amerika.
Ju e dini se, Ambasadori i SHBA nuk është thjeshtë përfaqësuesi i shtetit të vet në vendin tonë. Ambasada është në “cc” të çdo ankese që shqiptarët i adresojnë institucioneve të shtetit te tyre. Për shumë shqiptarë, Amerika dhe ambasada e saj në Tiranë, kanë statusin e një “qeverie paralele”. Ambasada e SHBA i ka bërë bashkë palët politike për reforma apo vendime të rëndësishme. Ndaj shumë qytetarë në këtë vend e shikojnë atë si një arbitër të drejtë.
Por, vitet e fundit, shumë njerëz, për problemet në vendin e tyre, e kanë drejtuar gishtin edhe tek ambasada e SHBA-së. Ata e kanë parë atë si bashkëpërgjegjëse për rritjen e korrupsionit dhe përkeqësimin e treguesve të demokracisë. Qytetarët janë zhgënjyer kur kanë parë ish-diplomatë amerikanë të qëndronin shpesh në krahun e atyre që ata i bënin përgjegjës për abuzimin me pushtetin dhe deformimin e demokracisë.
Në faqen e Ambasadës Amerikane bëhen shpesh komente kritike nga qytetarët shqiptarë. Ka edhe më shumë në rrjet dhe kjo mua më trishton, sinqerisht. Por unë mendoj se, sado kritikë apo mosbesues, këta njerëz nuk janë “anti-amerikanë”.
Shqiptarët thjeshtë janë të prirur të votojnë aktorët politikë që kanë më shumë mbështetje amerikane dhe zhgënjinmi pastaj nuk shkon vetëm për politikanët.
Sa më të pafuqishëm bëhen për ta ndikuar vetë realitetin politik, aq më shumë rriten pritshmëritë e qytetarëve që këtë ta bëjnë vendet partnere, veçanërisht SHBA.
Mbajtja e një fryme miqësore, jo vetëm në planin zyrtar, është një detyrë e rëndësishme edhe për diplomacinë. Por ndërkohë shqitarët duhet të vazhdojnë të edukohen politikisht e të mësojmë se të vetmit që përcaktojnë dhe janë përgjegjës se kush do ti qeverisë, janë vetë ata.
