Last Updated on 12/11/2025 by EL
Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sot, 12 nëntor, drejt Romës për të marrë pjesë në takimin e parë G2G me Italinë (Government to Government), një mbledhje e përbashkët e dy qeverive, në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve, përmes projekteve të përbashkëta, në fusha si ekonomia, energjia, mbrojtja apo infrastruktura.
Ditën e enjte, 13 nëntor, Kryeministri Rama do të takohet me homologen e Italisë Giorgia Meloni dhe më pas së bashku me delegacionin e ministrave të kabinetit që e shoqëron, do të marrë pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare.
Në agjendën e ditës së enjte është parashikuar edhe shkëmbimi i Marrëveshjeve Dypalëshe dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit.
Pallati Chigi informoi më herët se takimi do të zhvillohet në orën 11:30 në Villën Doria.
Në prag të kësaj mbledhjeje, qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje për bashkëpunim strategjik me qeverinë italiane, në të paktën 10 fusha, që nga shëndetësia, energjia e mjedisi deri te industria e sigurisë.
Një marrëveshje që shihet me interes nga të dyja qeveritë është ajo që parashikon ndërtimin e linjës së re nënujore mes dy brigjeve të detit Adriatik, që do të mundësojë prodhimin dhe transferimin nga vendi ynë drejt Italisë të energjisë nga burime të rinovueshme, si era dhe dielli. Me rëndësi të veçantë është edhe marrëveshja për transferimin e emigrantëve nga Italia në qendrat e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër.
Falë bashkëpunimit mes dy qeverive, që nga 1 korriku rreth 421 mijë shqiptarëve u janë njohur kontributet shoqërore për efekt pensioni. e.t.
