Nëse zyra juaj ngjan me një oaz qetësie ku askush nuk ankohet dhe mbledhjet përfundojnë në kohë rekord pa asnjë debat, mund të mendoni se keni gjetur parajsën e punës. Por, sipas ekspertëve të psikologjisë organizative, kjo heshtje mund të jetë “stuhia” që po vjen.
Ndonjëherë, problemet më të mëdha nuk fshihen te shefat që bërtasin, por te heshtja e vullnetshme dhe mungesa e sigurisë për të folur.
Kur “shefi i mirë” krijon pa dashje një ambient të keq
Jo çdo kulturë toksike lind nga qëllimet e këqija. Shpesh, janë pikërisht menaxherët “shumë punëtorë” ata që krijojnë presion të padukshëm.
Sindroma “gjithmonë online”. Një menaxher që përgjigjet në e-mail, mesazhe, në mesnatë mendon se po tregon përkushtim.
Efekti pasqyrë – Ekipi e lexon këtë si një rregull të pashkruar: Nëse ai është online, duhet të jem edhe unë. Rezultati? Lodhje kronike dhe një frikë e vazhdueshme nga dështimi.
Sipas konceptit të famshëm të Amy Edmondson, suksesi i një ekipi nuk matet me mungesën e gabimeve, por me lirinë për t’i treguar ato.
“Ekipet më të mira nuk janë ato që nuk gabojnë, por ato që flasin hapur për dështimet e tyre pa pasur frikë nga ndëshkimi.”
Të rinjtë vs “veteranët”, kush e ndjen më shumë helmin?
Është interesante se si brezat e ndryshëm e përjetojnë ambientin e punës:
Punonjësit e rinj (Gen Z & Millennials), janë “lakmusit” e zyrës. Ata i diktojnë problemet menjëherë sepse nuk janë mësuar ende me rutinën disfunksionale.
Kurse punonjësit me përvojë kanë krijuar “mburoja”. Ata shpesh nuk reagojnë, shmangin konfliktet dhe thjesht përshtaten. Kjo nga jashtë duket si stabilitet, por në fakt është thjesht humbje e pasionit.
3 hapa për të “shëruar” ambientin ku punoni
Ndryshimi nuk ndodh brenda natës, ekspertët thonë se duhen deri në 5 vite për një transformim të plotë, por ja ku mund të filloni:
‘Feedback’ 360 gradë: Mos prisni vetëm vlerësimin e shefit, kërkoni mendim nga të gjithë kolegët.
Dëgjimi aktiv: Një mbledhje ku flet vetëm një person nuk është komunikim, është monolog.
Vlerësoni guximin: Inkurajoni ata që ngrenë dorën për të thënë “kjo nuk po funksionon”./mxh
