Fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar po raportojnë një numër rekord tentativash për shantazh seksual online, ndërsa organizatat për mbrojtjen e të rinjve kërkojnë masa më të forta nga kompanitë e teknologjisë për të ndalur këtë fenomen shqetësues.
Sipas shërbimit Report Remove, i cili u mundëson të miturve të raportojnë imazhe apo video intime të tyre që janë publikuar ose rrezikojnë të publikohen në internet, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 394 raste shantazhi ndaj personave nën 18 vjeç. Kjo përfaqëson një rritje prej 34% krahasuar me vitin 2024.
“Sextortion” është një formë abuzimi ku viktima manipulohet për të dërguar materiale intime, të cilat më pas përdoren për ta kërcënuar me publikim nëse nuk paguan para ose nuk dërgon përmbajtje të tjera. Sipas të dhënave, 98% e viktimave janë djem të moshës 14 deri në 17 vjeç.
Ky fenomen është lidhur edhe me raste tragjike vetëvrasjesh të adoleshentëve britanikë pas kërcënimeve të tilla.
Organizata Molly Rose Foundation kërkoi që kompanitë e teknologjisë të bëjnë “shumë më tepër” për të ndërprerë këto krime dhe i bëri thirrje qeverisë të ushtrojë presion më të madh ndaj rrjeteve sociale, ku shpesh nis manipulimi i viktimave. Sipas tyre, kompanitë si Apple dhe Google duhet të detyrohen të implementojnë teknologji për zbulimin e lakuriqësisë në pajisje.
Edhe Internet Watch Foundation mbështeti këtë kërkesë, duke theksuar se ndërhyrja e qeverisë është e nevojshme nëse kompanitë nuk veprojnë vetë. Nga ana tjetër, NSPCC deklaroi se të dhënat tregojnë qartë nevojën për ta bërë të detyrueshëm përdorimin e sistemeve kundër përmbajtjes së papërshtatshme në pajisje.
Sipas statistikave të vitit 2025, numri i të miturve që kërkuan ndihmë nga Report Remove u rrit me 66% brenda një viti. Nga 1 mijë e 894 raportime totale, 1 mijë e 175 lidhen me materiale aq eksplicite sa klasifikohen si abuzim seksual ndaj fëmijëve. Numri i videove të raportuara gjithashtu u rrit me 27%, duke arritur në 509.
Ekspertët paralajmërojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi shumë viktima nuk janë në dijeni të shërbimeve të raportimit ose nuk denoncojnë rastet.
Kompanitë e teknologjisë deklarojnë se po ndërmarrin masa. Google theksoi angazhimin për të luftuar fenomenin, ndërsa Meta ka prezantuar funksione që turbullojnë imazhet e zhveshura në mesazhe direkte. Megjithatë, kritikat ndaj platformave mbeten të forta.
Ministrja britanike për mbrojtjen dhe dhunën ndaj grave dhe vajzave, Jess Phillips, u shpreh se raste të tilla kanë çuar “shumë shpesh” në humbje jetësh dhe premtoi angazhim maksimal për ta bërë hapësirën online më të sigurt për fëmijët.
Debati për përgjegjësinë e kompanive teknologjike dhe nevojën për rregullim më të fortë ligjor pritet të intensifikohet, ndërsa autoritetet britanike shqyrtojnë vendosjen e detyrimeve të reja për bllokimin e përmbajtjes eksplicite në pajisjet që shiten në vend./mxh
