Last Updated on 23/04/2025 by adminfjala
Një gjykatës federal ka urdhëruar administratën Trump të ndalojë përpjekjet e saj për të çmontuar “Zërin e Amerikës” dhe organet e tjera të lajmeve të mbështetura nga SHBA, përfshirë Radion Azia e Lirë.
Gjykatësi i qarkut amerikan Royce Lamberth vendosi se qeveria e kishte detyruar në mënyrë të paligjshme “Zërin e Amerikës” të ndërpresë veprimtarinë për herë të parë që kur transmetuesi u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) e cila drejton Zërin e Amerikës vendosi pothuajse të gjithë 1300 punonjësit e transmetuesit në pushim administrativ në mars, ndërsa 500 kontraktorë u informuan se kontratat e tyre do të ndërpriteshin në fund të muajit të kaluar.
Kjo pasoi një urdhër ekzekutiv nga Presidenti i SHBA Donald Trump më 14 mars që urdhëronte që disa entitete federale, përfshirë USAGM, të “eliminoheshin në masën maksimale në përputhje me ligjin në fuqi”. Shtëpia e Bardhë akuzoi Zërin e Amerikës, e cila u krijua për të kundërshtuar propagandën naziste, si “anti-Trump” dhe “radikale”.
Në vendimin e tij të martën, Lamberth tha se administrata Trump duhet “të marrë të gjitha hapat e nevojshëm” për të rikthyer punonjësit dhe kontraktorët në punët e tyre dhe për të rifilluar transmetimet radio, TV dhe në internet.
Ai urdhëroi qeverinë të bënte të njëjtën gjë për Radion e Azisë së Lirë dhe Rrjetet e Transmetimit të Lindjes së Mesme, të cilat gjithashtu operohen nga USAGM.
Administrata Trump ka të ngjarë të ketë shkelur ligje të shumta federale, duke përfshirë Aktin e Transmetimit Ndërkombëtar dhe Aktet e Ndarjeve të Kongresit, tha Lamberth. Qeveria amerikane veproi “pa marrë parasysh dëmin e shkaktuar ndaj punonjësve, kontraktorëve, gazetarëve dhe konsumatorëve të mediave në mbarë botën”, shkroi ai në vendimin e tij. “Është e vështirë të kuptosh një shfaqje më të drejtpërdrejtë të veprimeve arbitrare dhe kapriçioze sesa veprimet e të pandehurve këtu,” shkroi Lamberth.
Avokatët që përfaqësojnë punonjësit e Zërit të Amerikës thanë se vendimi ishte një fitore për lirinë e shtypit. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, e cila përmendet si paditëse në padi, tha se urdhri ishte “vetëm një hap i vogël përpara, pasi qeveria ka të ngjarë të apelojë”.
USAGM dhe Shtëpia e Bardhë nuk e kanë komentuar ende vendimin. Tom Yazdgerdi, president i Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm, tha se mediat ishin “burime të besuara të së vërtetës në vendet ku shpesh është e pakët”.
“Duke mbështetur pavarësinë editoriale, gjykata ka mbrojtur besueshmërinë e gazetarëve të USAGM dhe misionin global që ata shërbejnë”, tha ai në një deklaratë. m.p.