Last Updated on 09/07/2026 by Kesjana
Nertila Hoxhallari, emigrante dhe aktiviste në Gjermani, rrëfeu në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN dhunën me të cilën është përballur në dy martesat e saj, të parën kur ishte në moshë të mitur vetëm 15-vjeç, dhe martesën e dytë kur ishte 21-vjeçare.
Ajo e konsideron marrëdhënien me bashkëshortin e parë abuzim seksual, pasi ishte një minorene ende e paformuar.
“Prindërit e mi erdhën që të flisnin me ta. Që ai mos ushtronte më dhunë ndaj meje, por ishte e pamundur. Në momentin që erdhi të fliste me prindërit e tij dhe bashkëjetuesin ishte e pamundur. Babai më ka dashur në formën e tij. Por ishte e pamundur që me ta të arrije një marrëveshje. Ne të gjithë ishim të humbur, të pashpresë. Komshia ime më ndihmoi. I thashë më duhet një telefon. Isha shtatzënë me gocën. Prita që linde vajza sepse më vinte shumë zor të kthehesha te prindërit e mi shtatzënë. Unë jam dhunuar sistematikisht edhe kur kam qenë shtatzënë. Ku e dija unë se çfarë ishte marrëdhënia. Por ia dola të iki atje. Pastaj kam jetuar te familja ime 4 vjet, ishte shumë e bukur, isha shumë e lirë. Ishim në fshat. Ndihmoja babain në ara. Prindërit ishin penduar por menduan se morën vendimin më të mirë në atë kohë”.
Ajo rrëfeu se është dhunuar sërish nga bashkëshorti i dytë, kur ka qenë shtatzënë, bashkë me vajzën e saj.
“Dhunohesha edhe unë kur isha shtatzënë, edhe vajza ime. Dhunohesha sistematikisht, edhe nga ana psiqike dhe fizike. Edhe kur kam lindur vajzën dhunohesha. Dhuna vazhdoi 3 vite. Largohesha ndonjëherë te prindërit dhe kthehesha prapë. Kur u mbushën 3 vjet kam bërë denoncimin në polici. Mora urdhër-mbrojtje. Por unë ia fala, sepse më kërkoi falje dhe ia fala. Pastaj e kam denoncuar dhe s’u ktheva më mbrapsht”./kb
