Vdekja e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis ka rikthyer në vëmendje një procedurë të pazakontë, të cilën disa klinika e promovojnë për qëllime kundër plakjes.
Bëhet fjalë për plazmaferezën, një procedurë mjekësore gjatë së cilës gjaku nxirret përkohësisht nga trupi dhe kalon në një aparat që ndan plazmën, pjesën e lëngshme të gjakut, nga qelizat e gjakut. Qelizat i rikthehen më pas trupit, ndërsa plazma mund të trajtohet ose të zëvendësohet, në varësi të procedurës.
Ideja pas përdorimit të saj në fushën e anti-aging është se largimi i disa substancave nga plazma mund të ndikojë në proceset e plakjes dhe të përmirësojë disa tregues të shëndetit. Plazmafereza është një procedurë e njohur në mjekësi dhe përdoret për trajtimin e disa sëmundjeve, por nuk është pa rrezik.
Në rastin e Mazonakis, raportimet thonë se ai pësoi arrest kardiak gjatë procedurës, por kjo nuk do të thotë automatikisht se procedura ishte shkaku i vdekjes. Rrethanat dhe shkaku përfundimtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar nga hetimet mjekësore./mxh
