Drake ka surprizuar fansat me një superprojekt muzikor të ndarë në tre albume të reja: “Iceman”, “Maid of Honour” dhe “Habibti”, me plot 43 këngë gjithsej. Mes gjithë këtij publikimi gjigant, një nga projektet që po komentohet më shumë në rrjet është kënga “Slap The City”, ku reperi kanadez bashkëpunon me artisten shqiptare Qendresa.
Qendresa Topalli, me origjinë nga Kosova dhe e rritur në Londër, prej vitesh është aktive në skenën alternative R&B dhe soul. Artistja shqiptare njihet për stilin unik dhe përzierjen e tingujve modernë me elementë emocionalë, duke tërhequr vëmendjen e emrave të njohur të industrisë ndërkombëtare.
Përveç bashkëpunimit me Drake, ajo ka punuar edhe me artistë si Lil Yachty, ndërsa emri i saj është vlerësuar edhe nga aktori fitues i Oscar-it, Daniel Kaluuya. Publiku shqiptar e njeh Qendresën edhe nga bashkëpunimi me reperin Buta në këngën “Pa arsye”, projekt që u publikua vite më parë dhe u prit shumë mirë nga fansat.
Tashmë, artistja shqiptare po shënon një tjetër moment të rëndësishëm në karrierë, duke u bërë pjesë e një prej publikimeve më të mëdha muzikore të momentit.
Në rrjet ka marrë vëmendje edhe estetika e albumit “Habibti”, ku nuk kanë munguar simbolet shqiptare dhe referencat që lidhen me kulturën tonë. Drake prej kohësh ka treguar afërsi me shqiptarët, sidomos pas paraqitjes së tij të famshme me veshje që mbanin simbolin e shqiponjës dykrenare. Këtë herë, lidhja e tij me shqiptarët vjen përmes muzikës dhe emrit të Qendresës./mxh
