Deputeti dhe kryetari i Partia Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi sot se krimi i organizuar është i lidhur në një mënyrë të rrezikshme me institucionet e dobëta të vendit.
Në fjalim e mbajtur në takimin e OSBE-së në Romë, Mediu tha se kjo varësi nga krimi dhe droga përbën një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën.
Sipas Mediut, organizatat kriminale depërtojnë përmes pastrimit të parave,në ekonominë ligjore dhe gradualisht çrregullojnë tregjet e lira dhe institucionet demokratike.
“Sot, krimi i organizuar nuk sillet më vetëm si mafia tradicionale. Ata operojnë si korporata shumëkombëshe, me rrjete logjistike, struktura financiare, kapacitete kibernetike, kanale korrupsioni dhe, mbi të gjitha, ndikim politik.
Rreziku për Europën, përfshirë vendin tim, nuk është vetëm varësia nga droga. Rreziku i vërtetë është infiltrimi.
Trafiku i drogës gjeneron kapitale të mëdha të paligjshme, të cilat riinvestohen përmes pastrimit të parave, ndërtimit, pasurive të paluajtshme, turizmit, energjisë dhe infrastrukturës, lojërave të fatit, ndikimit në media, ndërhyrjes në zgjedhje dhe madje edhe në sektorë strategjikë të lidhur me teknologjinë dhe portet.
Përmes pastrimit të parave, organizatat kriminale depërtojnë në ekonominë ligjore dhe gradualisht çrregullojnë tregjet e lira dhe institucionet demokratike.
Dhe kur paratë e pista hyjnë në politikë, vetë demokracia dobësohet, korruptohet dhe kthehet kundër qytetarëve të saj.
Grupet kriminale, përmes ndikimit financiar dhe zyrtarëve të korruptuar, manipulojnë prokurimet publike, frikësojnë institucionet dhe krijojnë varësi mes krimit të organizuar dhe pushtetit politik.
Në disa vende, përfshirë vendin tim, Shqipërinë, ne po dëshmojmë një bashkim të rrezikshëm mes krimit të organizuar, korrupsionit, institucioneve të dobëta dhe ndikimeve të huaja”,-tha Mediu./Mxh
