Last Updated on 31/10/2026 by EL
Avokati Idajet Beqiri ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të ish-ministrit Fatmir Mediu për t’iu shmangur përgjegjësisë penale për tragjedinë e Gërdecit, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të blerë pafajësinë përmes parave dhe korrupsionit.
Në një intervistë për “News Line” të ABC News, Beqiri deklaron se Mediu po përpiqet të përdorë edhe ndikimin dhe kontaktet në Shtetet e Bashkuara për të penguar drejtësinë, ndërsa paralajmëron se çështja e Gërdecit mund të ketë pasoja shumë më të gjera sesa përgjegjësia individuale e ish-ministrit.
“Fatmir Mediu është porta që do të hapet dhe brenda saj do të përfshihet Sali Berisha dhe familja e tij”, shprehet Beqiri, duke e konsideruar çështjen e Gërdecit si një nyje që mund të çojë drejt zbardhjes së përgjegjësive në nivelet më të larta të pushtetit të asaj kohe. Sipas tij, përpjekjet për të ndikuar te drejtësia përmes parave dhe lobimit janë tregues i dëshpërimit përballë një procesi që nuk mund të mbyllet me marrëveshje apo ndikime politike.
“Pushteti i Berishës, i cili bëri tragjedinë e rëndë dhe të madhe të Gërdecit, vetëm për të mbushur xhepat e vetë dhe të bashkëpunëtorëve të vetë. Këta e kanë trajtuar shtetin e pushtetin, e kanë trajtuar si pronë e çiflig të tyre dhe mund të bëjnë çfarë të duan. Bëjnë korrupsion të lartë dhe trafik armësh duke i çuar ato në vendet armike.
I mbulojnë këto me lekët që i grabisin popullit dhe grabisin shqiptarët. E kanë krijuar këtë që kur erdhën në 1992 si misionarë të vendeve armike, se me lekë mund të blihet çdo gjë. Mediu kërkon të blejë pafajësinë e tij në SHBA, edhe këtu e çfarë nuk është bërë. Para e madhe është hedhur për të marrë pafajësinë, por i ka ngecur sharra në gozhdë.
Fatmir Mediu është porta që do të hapet dhe brenda saj do të përfshihet Sali Berisha dhe familja e tij. Gërdeci do të gllabërojë të gjithë familjen e Berishës. Është një portë që do të hapet, prandaj dhe duhet blerë shtrenjtë.
Çdo gjë që ata e bëjnë në sajë të korrupsionit të lartë. Këta po flliqin dhe po ndyjnë edhe personalitete në SHBA. Kjo është për të vënë ulërimën dhe duart në kokë, sa arrijnë që këtyre njerëzve në SHBA edhe në vende të tjera, sepse nuk iu çojnë vetëm para, por i korruptojnë edhe me femra, jemi bërë gazi i botës, se si këta duan të mbulojnë krimet përmes korrupsionit”, tha avokati.
Beqiri ka kritikuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke e akuzuar për zvarritje të hetimeve dhe për një qasje që, sipas tij, nuk pasqyron përmasat e krimit.
Ai ka kërkuar që Sali Berisha dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu të mbajnë përgjegjësi penale, duke deklaruar se për ta duhet të kërkohet dënimi me burgim të përjetshëm.
Beqiri ka theksuar se shpërthimi i 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur, kërkon një hetim dhe drejtësi në përputhje me pasojat e rënda të tragjedisë.
“Të mos harrojmë një gjë, që Gërdeci është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare, drejtësia nuk do të besohet në popull. Krimi i Gërdecit ndodhi në mes të ditës dhe është i mirëprovuar që është bërë vetëm për korrupsion dhe për të zhvatur paratë e qytetarëve në duart e familjeve të Berishës dhe Mediut.
Ata nuk kursyen as kryeqytetin dhe portet apo aeroportet. E bënë këtë krim se e kishin më afër dhe nuk kishin kosto. E bënë në mes të ditës, 26 vdiqën, kurse mbi 100 të tjerë mbetën invalidë të përjetshëm. SPAK ka luajtur me këtë krim, edhe për shkak të frikës, por edhe se më parë kanë qenë të korruptuar, po zvarrisin këtë krim.
Mediu është A-ja, aty nuk ka vetëm shpërdorim detyre, por atje ka vrasje masive, këta duhet të marrin burgim të përjetshëm. SPAK përsëri luan me një akuzë, që është minimaliste, sa për t’u tallur do të thoja unë, sa për ta dërguar në gjykatë dhe për ta lënë varur. Ka edhe elementë të jashtëm. Bëjnë një lojë të pisët me paratë e këtyre, por që është gjaku ynë”, u shpreh avokati.
