Meksika jep garanci se finalet e Kupës së Botës 2026 do të mbahen me siguri të plotë në këtë vend.
Ministri i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch, udhëhoqi një mbledhje me përfaqësues të FIFA për të diskutuar rreth masave, që do të merren në prag të Botërorit që do të organizohet nga 11 qershori deri më 19 korrik së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.
Aty pati edhe zyrtarë nga 3 shtetet federale mikpritëse dhe ushtarakë. Puna e përbashkët ka për qëllim të shtojë sigurinë në zonat ku do të luhen ndeshjet, duke garantuar banorët dhe tifozët që do të vijnë.
Kohët e fundit Meksika ka patur trazira pas vrasjes së bosit të kartelit të drogës El Mencho. Ai u vra në shtetin e Jalisco, një nga vendet organizatore të Botërorit 2026.
Në Meksikë, në shtetin e Nuevo Leon do të luajë një ndeshje edhe Shqipëria nëse arrin të kualifikohet në fazën finale.
Në total Meksika do të presë 13 takime të turneut që do të jetë një eskluzivitet i TV Klan. /kb
