Mel C, ish-anëtarja e grupit të famshëm Spice Girls, është martuar dhe për ditën e saj të veçantë zgjodhi një fustan nusërie të krijuar nga mikja e saj e ngushtë dhe ish-kolegja e grupit, Victoria Beckham.
Këngëtarja 52-vjeçare dhe modeli Chris Dingwall kurorëzuan martesën të shtunën, më 18 korrik, në një pronë pranë liqenit në Cumbria të Anglisë. Sipas Vogue, çifti kishte zhvilluar më herët një martesë civile në Australi, vendlindjen e dhëndrit, përpara ceremonisë së madhe martesore.
Sa i përket fustanit të nusërisë së Mel C, i cili mbante firmën e Victoria Beckham, u bë e ditur se fillimisht stilistja i kishte huazuar një fustan nga garderoba e saj personale për ceremoninë civile në Australi. Më pas, ajo mori përsipër të krijonte edhe fustanin e posaçëm për ceremoninë e dytë.
“Victoria ishte shumë e emocionuar që mund ta bënte këtë për mua. Të kisha atë dhe vajzën time, Scarlett, pranë meje në çdo hap të këtij procesi ishte vërtet diçka shumë e veçantë. Për më tepër, unë i adhuroj veshjet e saj”, u shpreh Mel C.
Këngëtarja e përshkroi martesën e saj si “të qetë, romantike dhe elegante”, ndërsa rrëfeu se nuk kishte qenë kurrë një nga vajzat që ëndërronin për martesën e tyre. “Gjithmonë kam qenë e përkushtuar ndaj karrierës sime dhe në një moment besova se martesa nuk do të ishte pjesë e historisë sime”, tha ajo.
Në ceremoninë martesore ishin të pranishme edhe ish-anëtaret e tjera të Spice Girls, Emma Bunton, Geri Halliwell dhe Mel B.
Mel C kishte zbuluar në nëntor të vitit 2025 se ishte njohur me bashkëshortin e saj përmes aplikacionit të takimeve Raya. Takimi i tyre i parë u zhvillua në nëntor të vitit 2023, pavarësisht se ajo ndodhej në Londër dhe ai në Sydney.
Siç kishte treguar më herët, pas një lidhjeje të mëparshme ajo kërkonte një person krejtësisht ndryshe.
“Mendova se ishte shumë tërheqës dhe ia vlente ta provoja”, kishte thënë ajo.
Çifti nuk e kishte bërë kurrë publike fejesën e tyre. Sipas Vogue, Dingwall i kishte propozuar martesë gjatë një udhëtimi të tyre në Mallorca në korrikun e kaluar. Paraqitja e tyre e parë publike si çift ishte në festivalin Glastonbury në vitin 2024, ku u fotografuan duke ecur dorë për dore./mxh
