Melania Trump vazhdon të konfirmojë reputacionin e saj si një prej figurave më elegante në skenën publike. Në dy dalje të fundit, Zonja e Parë amerikane ka prezantuar dy stile të ndryshme, por që kanë një të përbashkët: elegancën dhe vëmendjen ndaj detajeve.
Në moshën 56-vjeçare, ajo ka dëshmuar se di të kombinojë tendencat e momentit me pjesët klasike të garderobës, duke zgjedhur ngjyra të ngrohta, prerje të kuruara dhe aksesorë që plotësojnë çdo paraqitje.
Më 12 nëntor, Melania vizitoi shkollën fillore Ellis D. Parker, në bazën ushtarake Fort Rucker, në Alabama. Në këtë aktivitet ajo u shoqërua nga Usha Vance, Zonja e Dytë e SHBA-së, me të cilën zhvilloi takime me nxënësit dhe diskutoi mbi rëndësinë e edukimit.
Gjatë vizitës, ajo vuri në pah edhe rolin e teknologjisë moderne në mësimdhënie, në kuadër të projektit të saj “Fostering the Future”. Aktiviteti ishte pjesë e angazhimeve në mbështetje të ushtarakëve amerikanë dhe familjeve të tyre.
Çizmet prej kamoshi, detaji që kompletoi veshjen
Për këtë dalje, Melania preferoi një kombinim të frymëzuar nga stili ushtarak, të cilin e interpretoi në një mënyrë mjaft elegante. Ajo veshi një xhaketë me jakë të ngritur dhe xhepa të dukshëm, të kombinuar me një bluzë me jakë të lartë dhe pantallona në nuanca të ngrohta kafeje.
Pjesa që spikati më shumë ishin çizmet prej kamoshi deri mbi kyçin e gjurit, me taka të larta, të cilat i dhanë gjithë kombinimit një pamje më femërore dhe luksoze.
Ky model çizmesh mbetet ndër tendencat e preferuara të sezonit të ftohtë dhe mund të përshtatet lehtësisht me funde midi, fustane të thurura apo pantallona të ngushta.
Në krah të saj, Usha Vance zgjodhi një stil më minimalist, me një triko të zezë, pantallona blu të errëta dhe këpucë të sheshta.
Nga xhaketa bomber te fundi elegant në ngjyrë vaniljeje
Një tjetër paraqitje që mori vëmendje ishte ajo e 7 nëntorit, kur Melania vizitoi Universitetin Shtetëror të Luizianës (LSU).

Këtë herë, Zonja e Parë vendosi të eksperimentojë me kontrastet, duke kombinuar një xhaketë bomber ngjyrë kafe nga marka Nour Hammour, me vlerë rreth 1.540 dollarë, me një fund midi në ngjyrë vaniljeje, të dizajnuar nga Adam Lippes.
Ndërthurja e elementeve sportive me një pjesë klasike krijoi një paraqitje moderne dhe të sofistikuar. Për ta kompletuar, ajo zgjodhi këpucë metalike me taka të larta nga Manolo Blahnik dhe syze të errëta dielli.
Vizita në universitet kishte gjithashtu një rëndësi të veçantë: aty u prezantua një fond bursash prej 7.2 milionë dollarësh për të rinjtë që kanë qenë pjesë e sistemit të kujdesit familjar. Më pas, Melania ndoqi ndeshjen e futbollit amerikan mes LSU-së dhe Universitetit të Alabamës.
Gjatë aktivitetit, presidenti i universitetit, Wade Rousse, i dhuroi asaj një fanellë sportive me emrin e saj dhe numrin 14, si dhe një helmetë të lidhur me nismën “Be Best”.
Dy daljet e fundit tregojnë edhe një herë preferencën e Melanias për veshjet që ndërthurin klasikën me tendencat bashkëkohore. Nga çizmet e larta prej kamoshi te kombinimi bomber me fundin në ngjyrë vaniljeje, ajo dëshmon se edhe detajet më të vogla mund ta kthejnë një veshje në një deklaratë të vërtetë stili./mxh
