Last Updated on 18/02/2026 by Anisa
Tani që muaji i shenjtë i Ramazanit është fare pranë, teologu Vladimir Kera na njeh me përfitimet në shpirt dhe në mendje të agjërimit, disa rituale dhe ka ndarë këshillat e tij për të gjithë ata që agjërojnë për herë të parë…
Cilat janë ritualet që duhen bërë për të bërë një agjërim të pastër?
“E para, me datë 19 ne dalim agjërueshëm, pra fillon me syfyr agjërimi dhe mbyllet me atë që është iftar. Sipas kalendarit që është i përcaktuar në raport me lindjen dhe perëndimin e diellit. Në datë 18 në darkë ne fillojmë faljen e namazeve vullnetare, që mblidhemi në xhami dhe kryejmë ritin e faljes së përbashkët për të pritur dhe muajin e begatë të Ramazanit që është për nesër.
E dyta, agjërimi ka tre shkallë.
E para, fizike, që është heqja dorë nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime nga mëngjesi deri në mbrëmje.
E dyta ka një aspekt që është intelektual, është ruajtja e njeriut nga mendimet e gabuara, fjalët e këqija dhe sjelljet e urryera në raport me njerëzit dhe karshi Zotit.
Dhe e treta është agjërimi shpirtëror, heqja dorë e zemrës nga mllefi, urrejtja, zilia, smira dhe të gjitha cilësitë të cilat fatkeqësisht nuk i kuptojmë, por të gjitha këto që unë përmenda që janë të shpirtit, janë fiks si ai helmi që e pi ti dhe pret të vdesë ai që e ke inat. Zilia dhe smira janë disa lloj helmesh që i vuan ai që i ka në fillim. Zoti na fton që agjërimi i plotë është arritja e njeriut që të plotësojë tre shkallë agjërimi. Ushqimi dhe pija është e para dhe Zoti thotë ‘nuk kam nevojë për etjen dhe urinë tuaj nëse keni fjalët e këqija dhe gënjeshtrat’. E dyta është agjërimi i mendjes, i mendimeve të gabuara sepse dashje padashje ne jemi ata që mendojmë dhe mendimet e gabuara janë fiks si ushqimet e helmuara. Mendimet e gabuara të shtuara vazhdimisht, të këqija, të liga, nëse shtohen krijojnë besim, krijojnë bindje, një mënyrë të sjelluri, një mënyrë të menduari dhe të helmojnë. Njeriu udhëhiqet nga mendimet e tij. Të paktën të mendojmë mirë për të tjerët, minimumi do ndihem mirë unë. Përndryshe do shkojmë tek ajo, që njeriu do gjykohet nga mendimi i vet, do vuajë pasojën e mendimit të vet. E treta është pastrimi i shpirtit nga të gjithë gjërat që e zbresin atë në nivelin që nuk i takon. Ky është agjërimi i plotë. Definicioni kryesor i agjërimit është rritja e devotshmërisë. Çdo gjë që hyn në trupin e njeriut që konsiderohet ushqim, e prish agjërimin, pra nëpërmjet gojës apo nëpërmjet damarëve që mund të marrim serum.
Nëse njeriu ka një gjendje të vështirë sëmundje apo vështirësi, Zoti e ka lehtësuar që ta prishë agjërimin dhe të agjërojë në kohë më vonë kur është e përshtatshme, pra nëse është i sëmurë dhe ka nevojë për ilaçe. Nuk tregohet devotshmëria këtu, se disa njerëz mund të jenë të sëmurë dhe duan ta mbajnë, nuk e do Zoti këtë.”, deklaroi teologu në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën.
